Ditë bordesh dhe komisionesh

Kuvendi i Kosovës sot ka formuar disa komisione. Komisioni për Organin Shqyrtues të Prokurimit ishte i vetmi që ngjalli pakënaqësi te deputetët. U përzgjodhën edhe dy anëtarë të Bordit të RTK’së.

Lajme

15/11/2013 11:54

Në vazhdimin e seancës, Kuvendi sot ka miratuar Raportin e Auditimit për vitin 2012 dhe ka përzgjedhur anëtarët e disa komisioneve. Për raportin i cili ishte debatuar seancën e kaluar votuan 62 deputetë, një ishte kundër dhe një abstenoi.

Për emërimin e anëtarëve të Organit Përzgjedhës të Pavarur për zgjedhjen e Kryesuesit dhe anëtarëve të Organit Shqyrtues të Prokurimi ishin të propozuar tre gjykatës. Valdete Daka nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës, Asllan Krasniqi nga Gjykata Themelore e Prishtinës dhe Nebojsa Boric nga Gjykata Supreme.

Anipse këta anëtarë u votuan me 55 vota pro, 13 kundër dhe 16 abstenime, deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje, shprehën pakënaqësinë e tyre lidhur me emërimin e Valdete Dakës duke thënë se ajo nuk  “është person me integritet”.

“Konsiderojmë se veçanërisht z. Daka nuk ka dëshmuar që është person me integritet. Prandaj emërimin e saj Vetëvendosje e voton kundër”, tha Visar Ymeri, Shef i Grupit parlamentar të Vetëvendosjes.

Edhe Arben Gashi nga LDK shprehu vërejtjen e tij për Dakën duke thënë se asaj po i bëhet ngarkesë duke u caktuar në shumë poste.

“LDK ka vërejtje për mbingarkesën për këtë rast zonja Daka e cila është edhe kryetare në KQZ dhe po emërohet edhe këtu mund të jetë mbi ngarkesë”.

“Ka njerëz boll, ka gjyqtarë boll, duhet të shpërndahet përgjegjësia e jo të ngarkohet një njeri”, tha Arben Gashi.

Ndërsa Shefi i Grupit Parlamentar të AAK’së, Adrian Gjini tha se edhe grupi i tij ka vërejtje por për arsye që të mos “prolongohet gjendja e Kuvendit”, AAK do ta mbështesë propozimin.

“Ne kemi një bindje se do ta prolongonim këtë gjendje, kështu që do ta votojmë këtë listë por kemi vërejtje të cilat nuk do t’i themi këtu”.

Në Kuvend u përzgjodhën dy anëtarë të Bordit të Agjencisë Kosovare të Pronës. Në favor të tyre votuan 67 deputetë dhe 8 ishin kundër. Të zgjedhurit Ismajl Osdautaj dhe Ejup Krasniqi do të kenë mandat një vjeçar.

Arben Gashi, kryetar i Komisionit për Legjislacion tha se Komisioni ka konstatuar se ky emërim ka bazë ligjore andaj ftoi deputetët që të votojnë.

“Komisioni për  Legjislacion dhe ka konstatuar se propozimi është në pajtueshmëri me dispozitat ligjore dhe ka bazë ligjore andaj propozon për votim. Edhe Grupi Parlamentar i LDK’së do të votojë pro”, tha Arben Gashi.

Deputetët e Kuvendit të Kosovës, me votë të fshehtë zgjodhën dy anëtarë të Bordit të RTK’së. Afërdita Maliqi me 63 vota dhe Naime Beqiraj me 46 vota u zgjodhën anëtare të bordit.

Ndërkaq, nga komuniteti serb për këtë post kishte kandiduar vetëm një person, andaj do të bëhet përsëri shpallja për aplikim, pasi ligji kërkon që të ketë dy apo më shumë kandidatë në mënyrë që emrat e tyre të sillen në Kuvend dhe të votohen.

Grupet parlamentare kanë propozuar emrat e tyre për formimin e Komisionit Ad-hoc për përzgjedhjen e Komisionit të Pavarur për Media. Gjithsej janë propozuar 9 anëtarë.

Deputetët gjithashtu miratuan përzgjedhjen e anëtarëve të Komisionit ad-hoc për anëtarët e Këshillit të Pavarur Mbikqyrës të Shërbimit Civil të Kosovës.