Shtyhet Bashkimi Qeveritar

Qeveria e Kosovës konfirmon se shtyhet mbledhja e parë e përbashkët me Qeverinë e Shqipërisë, e cila ishte paraparë të mbahej më 16 nëntor në Prizren. Kjo është bërë për të shmangur interpretimet e ndikimeve elektorale.

Lajme

11/11/2013 11:30

(E plotësuar, 13:30)

Qeveria e Kosovës ka konfirmuar shtyrjen e mbledhjes së përbashkët me Qeverinë e Shqipërisë, e paralajmëruar për 16 nëntor në Prizren.

Në një njoftim për media, Zyra për Informim e Qeverisë së Kosovës ka shpjeguar arsyet e kësaj shtyerjeje.

“Qeveria e Republikës së Kosovës dhe Qeveria e  Republikës së Shqipërisë tashmë janë dakorduar që të organizojnë mbledhje të përbashkëta të të dy qeverive. Qëllimi i kësaj nisme është vendosja e një partneriteti strategjik më të strukturuar dhe institucionalizuar në mes dy shteteve tona”.

“Duke qenë se mbledhja e parë e përbashkët e të dy qeverive do të shënonte edhe simbolikisht fillimin e një epoke të re të bashkëpunimit, ajo assesi nuk do të duhej të bëhej cak sulmesh dhe interpretimesh elektorale, për më tepër që kalendari i mbledhjes së përbashkët ishte dakorduar para caktimit të datës së zgjedhjeve”.

“Sidoqoftë, duke dashur që me çdo kusht të ruajmë integritetin e bashkëpunimit mes dy shteteve dhe qeverive tona, sot kërkuam mirëkuptimin e Qeverisë së Shqipërisë që mbledhja e parë të mbahet në fillim të muajit dhjetor”.

“Falënderojmë Qeverinë e Shqipërisë për mirëkuptimin e treguar”.

 

—————————————————————-

Shtyhet deri pas përfundimit të  zgjedhjeve lokale mbledhja e parë e përbashkët e Qeverisë së Kosovës dhe Qeverisë së Shqipërisë, që fillimisht ishte paraparë të mbahet këtë të diel, më 16 nëntor, në Prizren.

Burime të lajmi.net pohojnë se Qeveria e Kosovës ka kërkuar nga Qeveria e Shqipërisë që mbledhja të mbahet në fillim të muajit dhjetor.

Ky vendim thuhet se është marrë për të shmangur interpretimet që lidhen me ndikimin në fushatën zgjedhore, tash kur vendi ndodhet para garës së balotazhit.

Ndonëse, siç thuhet, mbledhja e dy Qeverive ishte paraparë më herët, si vendosje e partneritetit strategjik më të strukturuar dhe institucionalizuar mes dy vendeve, paralajmërimi i ardhjes së dytë të Kryeministrit Edi Rama në Kosovë ka ngjallur reagimin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, e cila më 1 dhjetor do të përballet në balotazh me Partinë Demokratike të Kosovës, në garën për qytetin e Prizrenit.

Lideri i saj Isa Mustafa ia tërhoqi vërejtjen gjatë ditës së djeshme Kryeministrit Shqiptar për të mos u përzier në fushatën zgjedhore të Kosovës.

Qeveria e Kosovës, duke vlerësuar se kjo takim i përbashkët qeveritar nuk do të duhej të bëhej cak i sulmeve dhe interpretimeve elektorale, ka kërkuar mirëkuptimin e Qeverisë së Shqipërisë për ta shtyrë takimin.