Shqipëria kthehet në mediat botërore, Reuters: Dhuna shpërthen në ditën e dytë të protestës antiqeveritare

Ashtu si dje, edhe sot, në Tiranë është zhvilluar protestë, duke e kthyer kështu Shqipërinë sërish në vëmendjen e mediave botërore. Një nga to është Reuters. Kjo e fundit raporton se mijëra shqiptarë dolën të dielën në rrugët e kryeqytetit, duke hedhur gurë dhe mjete piroteknike, ndërsa kërkuan dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama. Policia u…

Lajme

29/11/2026 21:32

Ashtu si dje, edhe sot, në Tiranë është zhvilluar protestë, duke e kthyer kështu Shqipërinë sërish në vëmendjen e mediave botërore.

Një nga to është Reuters. Kjo e fundit raporton se mijëra shqiptarë dolën të dielën në rrugët e kryeqytetit, duke hedhur gurë dhe mjete piroteknike, ndërsa kërkuan dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama.

Policia u kundërpërgjigj me gaz lotsjellës, ujë dhe plumba gome, në përpjekje për të shpërndarë protestat kundër qeverisë, të udhëhequra nga studentët, të cilat po zhvillohen për të dytën ditë radhazi.

Reuters, raporton edhe se të nxitura nga pakënaqësia lidhur me korrupsionin e pretenduar qeveritar, mungesën e vendeve të punës dhe standardet e dobëta në arsim, protestat kanë tronditur Tiranën që nga mesi i tetorit dhe më pas janë përhapur edhe në qytete të tjera.

Demonstratat shpesh kanë përfunduar në dhunë, me protestues që kanë vënë zjarrin në ndërtesa qeveritare dhe banka, kanë thyer vitrinat e dyqaneve dhe kanë shkulur pllakat e trotuareve për t’i hedhur në drejtim të policisë.

Pas një periudhe të shkurtër qetësie, tensionet u rritën sërish të shtunën. Disa protestues, të maskuar, qëlluan me gurë drejt një ndërtese qeveritare dhe tentuan të arrinin te zyra e kryeministrit Rama, por u zmbrapsën nga policia.

Zyrtarët shëndetësorë njoftuan se të dielën u lënduan edhe 12 persona të tjerë, pas më shumë se 60 të lënduarve të regjistruar të shtunën. Shumë prej tyre u goditën nga plumbat e gomës.

Qeveria e Ramës mohon akuzat për korrupsion dhe ka bërë thirrje për dialog lidhur me kërkesat e protestuesve.

Qeveria gjithashtu ka reaguar duke prezantuar disa masa, përfshirë uljen e çmimit të karburanteve dhe ndarjen e më shumë mjeteve financiare për familjet në nevojë.