Meçi për t’u bërë kampion bote | Kur fillon dhe ku mund ta shikoni ndeshjen mes Nelson Hysës dhe Agit Kabayel?

Boksieri shqiptar, Nelson Hysa, do të ketë sonte sfidën më të madhe të karrierës së tij, teksa do të përballet me gjermanin Agit Kabayel në një duel për titullin e kampionit botëror në kategorinë e peshave të rënda, versioni WBC. Përballja do të zhvillohet në stadiumin “Merkur Spiel-Arena” në Dyseldorf të Gjermanisë, ku Kabayel do…

Sport

28/11/2026 20:04

Boksieri shqiptar, Nelson Hysa, do të ketë sonte sfidën më të madhe të karrierës së tij, teksa do të përballet me gjermanin Agit Kabayel në një duel për titullin e kampionit botëror në kategorinë e peshave të rënda, versioni WBC.

Përballja do të zhvillohet në stadiumin “Merkur Spiel-Arena” në Dyseldorf të Gjermanisë, ku Kabayel do ta mbrojë për herë të parë titullin e kampionit të botës, transmeton lajmi.net.

Karta e meçeve nis në orën 19:00, ndërsa hyrja e dy boksierëve në ring pritet të ndodhë rreth orës 23:00. Dueli do të transmetohet drejtpërdrejt në platformën DAZN.

Hysa, 42-vjeçar, hyn në këtë përballje me një rekord mbresëlënës prej 25 fitoresh në po aq ndeshje, 23 prej të cilave i ka fituar me nokaut.

Boksieri shqiptar e siguroi këtë mundësi pas një serie të suksesshme paraqitjesh, ndërsa duelin e fundit e zhvilloi në gusht, kur e mposhti Thomas Narmon me nokaut në raundin e dytë.

Në vitin 2024, Hysa u shpall kampion evropian i WBO-së, duke arritur një prej renditjeve më të larta të një boksieri shqiptar në arenën ndërkombëtare.

Fitorja ndaj Kabayelit do të kishte rëndësi historike, pasi Hysa do të bëhej boksieri i parë shqiptar që fiton titullin e kampionit botëror në kategorinë e peshave të rënda.

Një triumf i tillë do ta bënte edhe më të veçantë 28 Nëntorin, Ditën e Pavarësisë së Shqipërisë./lajmi.net/