Samiti Brdo-Brioni | Shiroka-Pula nënshkruan deklaratën në Ohër, Çupiçi i vetmi lider që refuzoi ta bëjë këtë

Ushtruesi i detyrës së presidentit të Serbisë, Aleksandar Çupiç, ka qenë i vetmi lider pjesëmarrës në samitin e 15-të të Procesit Brdo-Brioni që nuk e ka nënshkruar deklaratën e përbashkët të miratuar në Ohër. Lajmin e ka bërë të ditur presidentja e Maqedonisë së Veriut, Gordana Siljanovska-Davkova, e cila ka sqaruar se Çupiç ka refuzuar…

Lajme

27/11/2026 21:52

Ushtruesi i detyrës së presidentit të Serbisë, Aleksandar Çupiç, ka qenë i vetmi lider pjesëmarrës në samitin e 15-të të Procesit Brdo-Brioni që nuk e ka nënshkruar deklaratën e përbashkët të miratuar në Ohër.

Lajmin e ka bërë të ditur presidentja e Maqedonisë së Veriut, Gordana Siljanovska-Davkova, e cila ka sqaruar se Çupiç ka refuzuar ta nënshkruajë dokumentin me arsyetimin se nuk ka legjitimitetin e nevojshëm për ta bërë këtë, transmeton lajmi.net.

Megjithatë, sipas saj, përfaqësuesi serb është pajtuar me të gjitha parimet e përfshira në deklaratën e përbashkët.

Duke folur në konferencën për media pas përfundimit të samitit, Siljanovska-Davkova ka thënë se takimi i kësaj radhe ka kaluar ndryshe nga samitet e mëparshme, ku shpeshherë kishte pasur vështirësi në arritjen e pajtueshmërisë për çështje të caktuara.

“Edhe pse u pajtua me të gjitha parimet e deklaratës së miratuar, zoti Çupiç ishte sot i vetmi që tha se nuk mund ta nënshkruante, se nuk mund të qëndronte hapur pas saj, sepse legjitimiteti i tij konfirmohet në një mënyrë tjetër”, ka deklaruar ajo.

Në samitin e mbajtur në Ohër morën pjesë liderë të vendeve të rajonit, të cilët diskutuan për bashkëpunimin ndërmjet shteteve të Ballkanit Perëndimor dhe perspektivën e integrimit evropian.

Pjesë e këtij takimi ishte edhe presidentja e Republikës së Kosovës, Justina Shiroka-Pula.

Refuzimi i Çupiçit për të nënshkruar deklaratën, ndonëse ishte pajtuar me përmbajtjen e saj, ishte një nga zhvillimet e veçanta të samitit./lajmi.net/