Vetura me targa serbe kapet në kufi me 191 ujëmatës pa dokumentacion, vlera mbi 9 mijë euro
Policia e Kosovës, në bashkëpunim me Doganën, ka ndaluar një automjet me targa të Serbisë, i cili dyshohet se kishte hyrë ilegalisht në territorin e Kosovës përmes rrugëve malore. Rasti është zbuluar sot në brezin kufitar ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, ku gjatë kontrollit të automjetit, të drejtuar nga një 38-vjeçar me shtetësi të dyfishtë, kosovare…
Lajme
Policia e Kosovës, në bashkëpunim me Doganën, ka ndaluar një automjet me targa të Serbisë, i cili dyshohet se kishte hyrë ilegalisht në territorin e Kosovës përmes rrugëve malore.
Rasti është zbuluar sot në brezin kufitar ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, ku gjatë kontrollit të automjetit, të drejtuar nga një 38-vjeçar me shtetësi të dyfishtë, kosovare dhe serbe, janë gjetur 191 ujëmatës mekanikë për matjen e konsumit të ujit të ftohtë, transmeton lajmi.net.
Sipas njoftimit, pajisjet ishin të vendosura në 12 pako, ndërsa drejtuesi i automjetit nuk kishte dokumentacion që dëshmonte prejardhjen e tyre.
Vlera e përgjithshme e mallrave, bazuar në çmimet e tregut, llogaritet të jetë mbi 9 mijë euro, pa përfshirë detyrimet doganore që dyshohet se janë shmangur.
Automjeti dhe malli i gjetur janë sekuestruar nga Dogana e Kosovës dhe janë dërguar në terminalin doganor, ku do të vazhdojnë procedurat e mëtejshme ligjore.
Policia e Kosovës dhe Dogana kanë bërë të ditur se do të vazhdojnë bashkëpunimin në parandalimin dhe luftimin e kontrabandës dhe aktiviteteve të tjera të kundërligjshme përgjatë kufirit shtetëror./lajmi.net/