Kritikohet takimi i KFOR-it me ushtarakë të Serbisë në Prishtinë, Bajqinovci: Politikisht i papërshtatshëm dhe i pandjeshëm
Takimi ndërmjet KFOR-it dhe përfaqësuesve të ushtris së Serbisë një ditë më parë në Prishtinë është politikisht i papërshtatshëm dhe i pandjeshëm, vlerësoi kryetari i Komisionit për Siguri dhe Mbrojtje të Kuvendit të Kosovës, Mefail Bajqinovci, deputet i Lëvizjes Vetëvendosje. Ai shkroi në Facebook se Kosova sot është shtet i pavarur dhe sovran, me institucione…
Lajme
Takimi ndërmjet KFOR-it dhe përfaqësuesve të ushtris së Serbisë një ditë më parë në Prishtinë është politikisht i papërshtatshëm dhe i pandjeshëm, vlerësoi kryetari i Komisionit për Siguri dhe Mbrojtje të Kuvendit të Kosovës, Mefail Bajqinovci, deputet i Lëvizjes Vetëvendosje.
Ai shkroi në Facebook se Kosova sot është shtet i pavarur dhe sovran, me institucione legjitime që janë përgjegjëse për sigurinë e qytetarëve të saj, duke shtuar se mekanizmat teknikë të krijuar në vitin 1999 nuk duhet të paraqiten sikur përcaktojnë pozitën politike të Kosovës apo sikur institucionet e saj të mos jenë pjesë e çështjeve të sigurisë.
“Nuk e vëmë në dyshim rëndësinë e komunikimit ndërmjet KFOR-it dhe përfaqësuesve ushtarakë serbë për parandalimin e incidenteve. Megjithatë, publikimi i një takimi të tillë me gjuhën e ‘respektit të ndërsjellë’, pa ndjeshmëri ndaj realitetit dhe historisë sonë të afërt, është politikisht i papërshtatshëm dhe i pandjeshëm”, u shpreh Bajqinovci.
Sipas tij, kjo ndjeshmëri është veçanërisht e rëndësishme në kohën kur Kosova vazhdon të kërkojë personat e zhdukur me dhunë dhe të përballet me dëshmi për krimet e kryera nga forcat serbe, përfshirë këtu edhe rastet e varrezave masive të viktimave të vrara nga pjesëtarë që mbanin uniformën e ushtrisë serbe. Bajqinovci tha se këto çështje nuk janë pjesë e një të kaluare të largët për familjet e viktimave dhe qytetarët e Kosovës.
“Ato kërkojnë drejtësi, përgjegjësi dhe respekt”, tha ai.
Bajqinovci kërkoi nga KFOR-i që të vazhdojë të veprojë në mënyrë të paanshme dhe transparente, duke mbajtur komunikim të rregullt me institucionet e Kosovës.
“Çdo mekanizëm sigurie që lidhet me Kosovën duhet ta pasqyrojë realitetin e sotëm dhe të mos krijojë përshtypjen se Kosova mund të trajtohet pa përfshirjen e institucioneve të saj”, tha ai.
KFOR-i dje ka njoftuar për një takim në Prishtinë me përfaqësues të Ushtrisë së Serbisë.
Misioni i NATO-s në Kosovë dhe Ushtria e Serbisë mbajnë takime të rregullta, por rëndom mbahen në Beograd.