Reshitaj e ashpër me ministrin Vitia: 650 mjekë kanë emigruar, 450 të tjerë janë të papunë

Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Albena Reshitaj, dhe ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, janë përplasur në Kuvendin e Kosovës lidhur me papunësinë e mjekëve të rinj, kushtet e punës në sektorin shëndetësor dhe emigrimin e profesionistëve shëndetësorë. Gjatë fjalës së saj në Kuvend, Reshitaj ka ngritur shqetësimet e studentëve të mjekësisë dhe mjekëve…

Lajme

26/11/2026 17:14

Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Albena Reshitaj, dhe ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, janë përplasur në Kuvendin e Kosovës lidhur me papunësinë e mjekëve të rinj, kushtet e punës në sektorin shëndetësor dhe emigrimin e profesionistëve shëndetësorë.

Gjatë fjalës së saj në Kuvend, Reshitaj ka ngritur shqetësimet e studentëve të mjekësisë dhe mjekëve të rinj, duke rikujtuar edhe protestën e organizuar para Ministrisë së Shëndetësisë, ku ajo ishte e pranishme, transmeton lajmi.net.

Ajo ka prezantuar të dhëna për largimin e personelit shëndetësor nga vendi, duke theksuar se situata kërkon reagim urgjent nga institucionet.

“Rreth 650 mjekë kanë emigruar nga Kosova gjatë periudhës 2021-2026. Rreth 450 mjekë janë të papunë, disa prej tyre presin për punësim më shumë se 3 vjet, ndërsa mbi 2 000 infermierë kanë emigruar brenda 4 vjetësh. Dhe kjo do të duhej të ishte alarmante”, ka deklaruar Reshitaj.

Deputetja ka kërkuar nga institucionet hartimin e një plani vjetor për punësimin e mjekëve, organizimin e specializimeve mbi bazën e meritës dhe nevojave të sistemit shëndetësor, si dhe pagesën e stazhit gjashtëmujor, i cili sipas saj duhet të njihet edhe si përvojë pune.

Ajo ka insistuar gjithashtu në rritjen e pagave dhe përmirësimin e kushteve të punës, duke vlerësuar se mungesa e politikave konkrete për mbajtjen e profesionistëve po e thellon largimin e tyre nga Kosova. Reshitaj ka vënë në pikëpyetje edhe hapjen e programeve të reja të mjekësisë pa një analizë paraprake të nevojave për kuadro shëndetësore.

Në kundërpërgjigjen e tij, ministri Arben Vitia ka kritikuar përfshirjen e deputetes në protestën e mjekëve të rinj, duke e cilësuar atë si veprim me karakter politik dhe jo thjesht akademik.

“Vetë inkuadrimi i deputetes në protestën e studentëve, siç tha ajo, vetëm në cilësinë e profesoreshës nuk është, por është komplet politike, sepse, si ligjvënëse, ish dashtë mos me i mashtruar të gjithë këta mjekë”, ka thënë Vitia.

Ministri ka sqaruar se përgjegjësia për punësimin e mjekëve të përgjithshëm u takon komunave, në bazë të kompetencave që u garanton Ligji për Vetëqeverisjen Lokale. Ai ka shtuar se Qeveria ka ndarë edhe 300 numra shtesë për mjekë të përgjithshëm dhe mjekë familjarë nëpër komuna.

Sa i përket numrit të mjekëve të papunë, Vitia ka pranuar se një pjesë e tyre janë të sapodiplomuar, ndërsa ka bërë të ditur se tashmë është hapur konkursi për specializime me 353 vende të reja.

Duke folur për procesin e përzgjedhjes së kandidatëve, ai ka kundërshtuar kërkesat që specializimet të ndahen vetëm sipas preferencave individuale të mjekëve, duke theksuar se prioritet duhet të jenë nevojat e sistemit shëndetësor.

“Vetë procesi në shëndetësi, si në çdo vend tjetër, është një lloj seleksionimi, ku më të mirët vazhdojnë përpara në specializimet që ata meritojnë në raport me nevojat reale që ka shteti”, është shprehur ministri.

Në fund, Vitia ka mohuar se u është shmangur takimeve me mjekët e rinj. Ai ka deklaruar se është i gatshëm të takohet me ta dhe me përfaqësues të tjerë, por ka sqaruar se në ditën kur ishte paraparë takimi, ai ishte angazhuar në interpelancën parlamentare ku duhej të raportonte para deputetëve./lajmi.net/