Festat e fundvitit në Gjakovë me kosto afro 100 mijë euro – Ja kush e fitoi tenderin

Komuna e Gjakovës ka ndarë afro 100 mijë euro për organizimin e festave të fundvitit për dy vitet e ardhshme. Sipas të dhënave të publikuara në platformën e-Prokurimi, komuna ka përzgjedhur operatorin ekonomik “Adhurim Haraqia B.I.”, me seli në Gjakovë, për realizimin e këtyre shërbimeve, shkruan lajmi.net. Vlera e përgjithshme e kontratës është 99 mijë…

Lajme

26/11/2026 14:20

Komuna e Gjakovës ka ndarë afro 100 mijë euro për organizimin e festave të fundvitit për dy vitet e ardhshme.

Sipas të dhënave të publikuara në platformën e-Prokurimi, komuna ka përzgjedhur operatorin ekonomik “Adhurim Haraqia B.I.”, me seli në Gjakovë, për realizimin e këtyre shërbimeve, shkruan lajmi.net.

Vlera e përgjithshme e kontratës është 99 mijë e 280 euro, ndërsa kohëzgjatja e marrëveshjes kornizë është 24 muaj.

Fillimisht, Komuna e Gjakovës kishte parashikuar një buxhet prej 100 mijë eurosh për këtë aktivitet të prokurimit, ndërsa oferta fituese ishte vetëm 720 euro më e ulët se vlera e parashikuar.

Në këtë procedurë të prokurimit janë pranuar gjithsej dy oferta. Oferta më e ulët ishte 99 mijë e 280 euro, ndërsa ajo më e larta 99 mijë e 800 euro.

Tenderi është zhvilluar përmes procedurës së hapur, ndërsa kriter për dhënien e kontratës ka qenë çmimi më i ulët.

Sipas dokumentit zyrtar, njoftimi fillestar për kontratë ishte publikuar më 13 tetor 2026, ndërsa vendimi për dhënien e kontratës është marrë më 19 nëntor.

Njoftimi për dhënien e kontratës është përgatitur më 25 nëntor, ndërsa nënshkrimi i saj është planifikuar për sot, më 26 nëntor 2026.

Në dokumentin e publikuar në e-Prokurimi nuk specifikohen aktivitetet konkrete që do të organizohen në kuadër të festave të fundvitit dhe as kostot individuale të shërbimeve që do të ofrohen nga operatori ekonomik fitues. /Lajmi.net/