Edhe 4 ditë përfundon mandati i tij| Kush do ta pasojë Bashkim Jasharin në krye të FSK-së?

Kanë mbetur edhe katër ditë deri në ditën kur Gjenerallejtënant Bashkim Jashari përfundon mandatin e tij pesëvjeçar në krye të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK). Saktësisht më 30 nëntor të këtij viti bëhen 5 vite që nga dita kur Bashkim Jashari u vendos në krye të Forcës së Sigurisë së Kosovës. Por pikërisht Jasharit,…

Lajme

26/11/2026 13:31

Kanë mbetur edhe katër ditë deri në ditën kur Gjenerallejtënant Bashkim Jashari përfundon mandatin e tij pesëvjeçar në krye të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK).

Saktësisht më 30 nëntor të këtij viti bëhen 5 vite që nga dita kur Bashkim Jashari u vendos në krye të Forcës së Sigurisë së Kosovës.

Por pikërisht Jasharit,  legjislacioni në fuqi nuk ia mundëson riemërimin për një mandat të dytë.

Jashari ishte emëruar komandant i FSK-së më 30 nëntor të vitit 2021 nga presidentja e atëhershme e Kosovës, Vjosa Osmani, pas dorëheqjes së paraardhësit të tij, Rrahman Rama.

Kohëzgjatja e mandatit dhe kufizimi i së drejtës për riemërim përcaktohen në nenin 21, paragrafin 7, të Ligjit nr. 06/L-123 për Forcën e Sigurisë së Kosovës.

“Komandanti i FSK-së emërohet me një mandat pesë (5) vjeçar, pa të drejtë riemërimi. Mandati i Komandantit të FSK-së fillon ditën e përfundimit të mandatit të Komandantit paraprak”, thuhet në ligj.

Bazuar në këtë dispozitë ligjore, Jasharit i mbetën edhe pak ditë deri në përfundimin e mandatit, ndërsa emërimi i pasardhësit të tij kërkon përfshirjen e tri instancave institucionale.

Në lidhje me emrat e mundshëm që do të propozohen apo nëse Ministria e Mbrojtjes veçse ka gati ndonjë emër për të propozuar tek Kryeministri Albin Kurt, që më pas ky i fundit ta rekomandojë tek presidentja Shiroka-Pula, lajmi.net ka tentuar të marrë një përgjigje edhe nga institucionet.

Por si emërohet komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës?

Procedura për emërimin e komandantit të ri të Forcës së Sigurisë së Kosovës kalon nëpër ministrinë e Mbrojtjes, kryeministrin dhe presidentin. Më saktësisht sepse kjo procedurë rregullohet përmes Ligjit për Forcën e Sigurisë së Kosovës dhe Ligjit për ministrinë e Mbrojtjes.

Procesi saktësisht nis nga ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, i cili përzgjedh dhe i propozon kryeministri Albin Kurti një kandidat nga radhët e gjeneralëve që plotësojnë kushtet ligjore.

Më pas, kryeministri Kurti e shqyrton propozimin e ministrit dhe rekomandon atë zyrtarisht tek presidentja Shiroka-Pula për emërimin e kandidatit.

Pas kësaj, presidentja në cilësinë e Komandantes Supreme të FSK-së merr vendim përfundimtar për emërim. Sipas ligjit, Presidentja duhet të vendosë brenda 30 ditëve kalendarike nga dita e paraqitjes së propozimit.

Komandanti i ri do të ketë mandat pesëvjeçar, pa të drejtë riemërimi. Ky mandat, sipas përcaktimit ligjor, fillon në ditën e përfundimit të mandatit të komandantit paraprak.

Ligji përcakton gjithashtu se kandidati për komandant të FSK-së duhet ta ketë mbajtur gradën e gjeneralmajorit për së paku 12 muaj.

Komandanti i FSK-së është autoriteti më i lartë ushtarak në gradë dhe detyrë, ushtron komandë të plotë mbi Forcën e Sigurisë së Kosovës dhe është përgjegjës për drejtimin, stërvitjen dhe mbikëqyrjen e saj.

Me përfundimin e mandatit të Bashkim Jasharit më 30 nëntor, institucionet e Kosovës duhet të sigurojnë vazhdimësinë e udhëheqjes së FSK-së, përmes emërimit të komandantit të ri, në përputhje me procedurat e përcaktuara me ligj.

Kurse emri që pritet të propozohet duhet që ta ketë mbajtur gradën e Gjeneralmajorit për së paku 12 muaj para emërimit dhe se duhet të jetë oficer aktiv i FSK-së që plotëson kriteret e karrierës dhe pastërtisë së figurës.

Por kush ishin komandantët paraprakë:

Sylejman Selimi, Gjenerallejtënant nga 16 qershor 2009 – 22 nëntor 2011. Pas kësaj Selimi kishte kaluar në detyrë diplomatike, si ambasador në Shqipëri.

Kadri Kastrati,Gjenerallejtënant nga 22 nëntor 2011 – 18 mars 2015. Më pas Kastrati pati dalje në pension.

Rrahman Rama, Gjenerallejtënan nga 18 mars 2015 – 30 nëntor 2021. Rama pati dhënë dorëheqje.

Bashkim Jashari (aktual), Gjenerallejtënantnga 30 nëntor 2021 – në detyrë. Mandati 5-vjeçar i skadon më 30 nëntor 2026.

Sylejman Selimi, iste komandanti i parë që udhëhoqi tranzicionin dhe themelimin e FSK-së pas shpërbërjes së Trupave Mbrojtëse të Kosovës (TMK).

Kadri Kastrati- gjatë mandatit të tij u fokusua në arritjen e kapaciteteve të plota operacionale të FSK-së dhe përgatitjet për rishikimin e sektorit të sigurisë.

Rrahman Rama, udhëhoqi FSK-në gjatë fazës më të rëndësishme të saj, kur në dhjetor të vitit 2018 u miratuan ligjet për transformimin e saj në ushtri me mandat mbrojtës. Ai dha dorëheqje disa muaj para përfundimit të mandatit të tij të dytë./Lajmi.net/