Bajrami: Nga viti 2021 deri në vitin 2025 janë shtuar vetëm 41 mijë vende pune
Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Hykmete Bajrami, ka kritikuar Qeverinë Kurti për, siç e ka cilësuar, propagandën lidhur me rritjen e punësimit në Kosovë. Përmes një postimi në Facebook, Bajrami ka publikuar disa të dhëna që, sipas saj, dëshmojnë se situata në tregun e punës nuk është aq pozitive sa paraqitet nga Qeveria.…
Lajme
Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Hykmete Bajrami, ka kritikuar Qeverinë Kurti për, siç e ka cilësuar, propagandën lidhur me rritjen e punësimit në Kosovë.
Përmes një postimi në Facebook, Bajrami ka publikuar disa të dhëna që, sipas saj, dëshmojnë se situata në tregun e punës nuk është aq pozitive sa paraqitet nga Qeveria.
Ajo ka thënë se rreth 74 për qind e grave dhe 40 për qind e burrave në moshë pune janë jashtë tregut të punës.
Duke iu referuar Raportit të Komisionit Evropian për Kosovën për vitin 2026, Bajrami ka theksuar se në tremujorin e tretë të vitit 2025, 33.4 për qind e të rinjve nuk ishin as në punë, as në shkollim dhe as në trajnim.
Deputetja e LDK-së është ndalur edhe te të dhënat e Trustit, duke thënë se nga viti 2021 deri në vitin 2025 janë shtuar 41 mijë e 754 vende pune, bazuar në numrin e personave që kanë paguar kontribute pensionale për të 12 muajt e vitit.
Sipas saj, kjo shifër është dukshëm më e ulët krahasuar me pesëvjeçarin paraprak.
“Po flasim për punësim të qëndrueshëm, persona që paguajnë 12 muaj kontribute në TRUST. Kaq sa i përket punësimit”, ka shkruar Bajrami. /Lajmi.net/