Sondazh: 60% e serbëve nuk e duan anëtarësimin e Serbisë në BE nëse u kërkohet njohja e Kosovës

Gjashtë në dhjetë qytetarë të anketuar në Serbi do të hiqnin dorë nga anëtarësimi në Bashkimin Evropian, nëse kusht do të ishte njohja e Kosovës. Kështu rezulton nga një hulumtim i Institutit të Shkencave Shoqërore në Beograd, realizuar në bashkëpunim me Fondacionin gjerman Friedrich Ebert. Hulumtimi, i publikuar në nëntor, përfshiu 1.248 qytetarë, të anketuar…

Lajme

26/11/2026 11:17

Gjashtë në dhjetë qytetarë të anketuar në Serbi do të hiqnin dorë nga anëtarësimi në Bashkimin Evropian, nëse kusht do të ishte njohja e Kosovës.

Kështu rezulton nga një hulumtim i Institutit të Shkencave Shoqërore në Beograd, realizuar në bashkëpunim me Fondacionin gjerman Friedrich Ebert.

Hulumtimi, i publikuar në nëntor, përfshiu 1.248 qytetarë, të anketuar nga 21 maji deri më 25 shtator të këtij viti.

Në një referendum për anëtarësimin e Serbisë në BE, 48,3 për qind do të votonin pro, ndërsa 35 për qind kundër.

Por, kur në pyetje përfshihet njohja formale e pavarësisë së Kosovës, raporti përmbyset.

Plot 60,2 për qind kundërshtojnë anëtarësimin në BE, vetëm 26,7 për qind e mbështesin, ndërsa 13,1 për qind mbeten të pavendosur.Madje, edhe ndërmjet mbështetësve të integrimit evropian, 28,5 për qind do ta tërhiqnin mbështetjen, ndërsa 19,9 për qind do të mbeteshin të pavendosur. “Mbështetja për anëtarësimin në Bashkimin Evropian nuk është domosdoshmërisht e pakushtëzuar”, konstatojnë autorët e hulumtimit.

Pothuajse gjysma e të anketuarve, 46,6 për qind, besojnë se Serbia nuk do të bëhet kurrë anëtare e Bashkimit Evropian.

Bashkimi Evropian nuk e ka përcaktuar shprehimisht njohjen formale të Kosovës si kusht të përbashkët të vendeve anëtare për pranimin e Serbisë.

Kjo në Marrëveshjen e arritur mes Albin Kurtit dhe Aleksandër Vuçiqit nën ndërmjetësimin e Miroslav Lajçakun në vitin 2023.

Megjithatë, detyrimet që Brukseli ia ka vendosur Beogradit përmbajnë elemente të njohjes de facto të shtetësisë së Kosovës.

Marrëveshja e Brukselit e 27 shkurtit 2023 parasheh respektimin e pavarësisë, integritetit territorial dhe parimit të barazisë sovrane të shteteve.

“Serbia nuk do ta kundërshtojë anëtarësimin e Kosovës në asnjë organizatë ndërkombëtare”, thuhet në nenin 4 të marrëveshjes.

Marrëveshja parasheh gjithashtu shkëmbimin e misioneve të përhershme diplomatike dhe njohjen e ndërsjellë të dokumenteve e simboleve kombëtare.

Në vitin 2024, këto detyrime u përfshinë në Kapitullin 35 të negociatave për anëtarësimin e Serbisë në BE.

Parlamenti Evropian ka shkuar edhe më tej, duke kërkuar shprehimisht që marrëveshja përfundimtare, juridikisht e detyrueshme, ndërmjet Kosovës dhe Serbisë të bazohet në njohjen reciproke.

Ndërkaq, në raportin e 4 nëntorit 2026, Komisioni Evropian konstatoi se Serbia vazhdon të shkelë detyrimet e saj duke lobuar kundër anëtarësimit ndërkombëtar të Kosovës.

Komisioni përmendi posaçërisht kundërshtimin e anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës dhe në INTERPOL.