Pas protestave dhe marrëveshjes për bonuse, KEK-u ndan gati 3 milionë e gjysmë euro për sigurimin shëndetësor të punëtorëve

Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) ka shpallur dhënien e një kontrate kornizë trevjeçare në vlerë prej 3,488,555.52 eurosh për sigurimin shëndetësor të punonjësve të saj, ia besuar kompanisë “EUROSIG” SH.A. me seli në Prishtinë. Vendimi vjen në një periudhë të tensionuar për korporatën dhe sektorin energjetik në vend, e shënuar nga protesta të punëtorëve, një…

Lajme

25/11/2026 19:59

Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) ka shpallur dhënien e një kontrate kornizë trevjeçare në vlerë prej 3,488,555.52 eurosh për sigurimin shëndetësor të punonjësve të saj, ia besuar kompanisë “EUROSIG” SH.A. me seli në Prishtinë.

Vendimi vjen në një periudhë të tensionuar për korporatën dhe sektorin energjetik në vend, e shënuar nga protesta të punëtorëve, një marrëveshje të sapoarritur për bonuse financiare, ankesa të vazhdueshme për kushtet e punës dhe vështirësi operative në prag të dimrit, transmeton lajmi.net.

Detajet e plota të kontratës

Sipas njoftimit zyrtar për dhënie të kontratës (formulari B08), i përgatitur më 24 nëntor 2026 me numër prokurimi KEK-26-6812-2-1-1 (dhe numër kontrate KEK-26-6812-2-1-1/C3909), procedura është zhvilluar me procedurë të hapur dhe është shpallur më 17 nëntor 2026, ndërsa nënshkrimi i saj është planifikuar për më 1 dhjetor 2026.

Kontrata ka kohëzgjatje prej 36 muajsh (tri vjet), ndërsa vlera e saj prej 3,488,555.52 eurosh është pak më e ulët se vlera e parashikuar fillimisht prej 3,600,000 eurosh.

Njoftimi për kontratë (B05) kishte dalë më 2 shtator 2026, në procedurë kishin konkurruar 4 tenderë të pranuar, dhe kontrata nuk parashikon nënkontraktim.

Përshkrimi i lëndës së kontratës përcakton se shërbimet e sigurimit për punonjësit e KEK-ut përfshijnë: Mbrojtje shëndetësore private, mbulim në rast aksidenti apo sëmundjeje profesionale në punë dhe mbulim të kompensimit të pushimit mjekësor në vlerë prej 40 për qind të pagës bazë bruto.

Si person kontaktues nga autoriteti kontraktues në njoftim figuron Avdi Muzliukaj, ndërsa operatori ekonomik fitues, Kompania e Sigurimeve “EUROSIG” SH.A., ndodhet në rrugën “2 Korriku” nr. 4 në Prishtinë.

Protestat e Sindikatës së Re dhe marrëveshja me menaxhmentin

Kontrata e sigurimit shëndetësor bëhet e ditur pak ditë pasi KEK-u u përball me tensione sindikale dhe protestë të organizuar nga Sindikata e Re e KEK-ut (SR-KEK). Punëtorët dolën në protestë në nëntor 2026 — përfshirë tubimin e 12 nëntorit dhe protestën e 19 nëntorit para Drejtorisë së Korporatës në Prishtinë — duke kërkuar rritje dhe nivelizim të pagave si dhe ekzekutimin e pagës së 13-të për vitin 2026.

Fillimisht, menaxhmenti kishte kërkuar pritje derisa të stabilizohen operacionet, por më 20 nëntor 2026 KEK-u njoftoi se ka arritur marrëveshje me dy organizatat sindikale, SR-KEK dhe SPEK, për mbështetje financiare përmes një bonusi për punonjësit prej 800 eurosh, ku 500 do të jepen për festat e fundvitit dhe 300 në mesin e vitit të ardhshëm, ndërsa palët u zotuan për bashkëpunim në ruajtjen e stabilitetit të prodhimit dhe sigurisë energjetike.

Ankesat për kushtet e punës dhe rreziqet në miniera e termocentrale

Përtej çështjeve financiare, përfaqësuesit e punëtorëve dhe sindikata kanë ngritur vazhdimisht ankesa për kushtet e vështira të punës dhe rreziqet e shumta me të cilat përballen punonjësit çdo ditë, veçanërisht në miniera dhe termocentrale. Pikërisht ekspozimi ndaj rreziqeve fizike, aksidenteve, sëmundjeve profesionale dhe paaftësisë së përkohshme shëndetësore e bën mbulimin e siguracionit shëndetësor, aksidenteve në punë dhe kompensimit të pushimit mjekësor një çështje me peshë të veçantë për stafin e KEK-ut.

Problemet e KEK-ut dhe pasiguria energjetike në prag të dimrit

Marrëveshja me sindikatat dhe kontrata trevjeçare për sigurim shëndetësor vijnë në një moment kur KEK-u dhe sistemi energjetik i Kosovës po përballen me sfida të shumta teknike, financiare dhe operative. Korporata po hyn në sezonin dimëror me vonesa dhe punime në njësitë prodhuese — si puna në elektrofiltrat e njësisë B1 të “Kosovës B” dhe rikthimet e ngadalta apo në pritje të njësive të “Kosovës A” — ndërkohë që rritja e kërkesës për energji dhe mangësitë në prodhimin vendor e rrisin nevojën për import të shtrenjtë.

Paralelisht, në terren qytetarët po përballen me ndërprerje të shpeshta të energjisë elektrike për shkak të punimeve dhe mirëmbajtjes në rrjet, ndërsa vetë KEK-u ka hasur në vështirësi operative duke iniciuar procedurë për blerjen e gjeneratorit për objektet e veta. Në këtë kontekst, ruajtja e qetësisë sociale pas marrëveshjes me sindikatat, respektimi i standardeve të sigurisë në punë dhe vënia në funksionim të plotë e të qëndrueshëm të kapaciteteve prodhuese mbeten testet kryesore për menaxhmentin e KEK-ut gjatë muajve të ftohtë./lajmi.net/