GoFundMe për rastin e Endrit Azemit: Kemi rimbursuar të gjithë donatorët

Platforma për mbledhjen e fondeve, GoFundMe ka kthyer te dhuruesit të gjitha paratë e mbledhura nga Endrit Azemi, i cili, sipas autoriteteve në Kosovë shtirej se ishte i sëmurë me leukemi akute. Endrit Azemi ditë më parë u arrestua nën dyshime për veprën penale të mashtrimit dhe më 23 nëntor Gjykata Themelore në Gjilan i…

Lajme

25/11/2026 15:12

Platforma për mbledhjen e fondeve, GoFundMe ka kthyer te dhuruesit të gjitha paratë e mbledhura nga Endrit Azemi, i cili, sipas autoriteteve në Kosovë shtirej se ishte i sëmurë me leukemi akute.

Endrit Azemi ditë më parë u arrestua nën dyshime për veprën penale të mashtrimit dhe më 23 nëntor Gjykata Themelore në Gjilan i caktoi masën e paraburgimit prej një muaji. Sipas autoritetet në Kosovë, përmes GoFundMe, ai mblodhi 162.522 euro.

Në një përgjigje për Radion Evropa e Lirë, GoFundMe tha se ka zero tolerancë për keqpërdorimin e kësaj platforme nga persona që tentojnë të keqpërdorin bujarinë e të tjerëve.

“Ekipi ynë identifikoi keqinterpretimin e fakteve, që bien ndesh me rregullat tona. Si rezultat i kësaj, fushata për mbledhjen e parave është mbyllur dhe të gjithë dhuruesit janë rimbursuar. Asnjë para nuk ka shkuar te organizatori”, tha GoFundMe.

Në ueb-faqen e platformës thuhet se ajo garanton mbrojtjen e të gjitha donacioneve dhe në rast se shohin se diçka nuk është në rregull, kthen të gjitha paratë te dhuruesit.

Paratë e mbledhura, sipas platformës, mbrohen për një vit nga momenti i dhurimit të tyre.

Platforma thotë se rastet e mashtrimit janë të rralla. Por, ekipet e saj të ekspertëve monitorojnë për çdo keqpërdorim apo abuzim të rasteve që raportohen, duke u mundësuar njerëzve që nëse kanë dyshime, t’i raportojnë ato.

Çfarë kanë thënë autoritetet në Kosovë për rastin?

Prokuroria Themelore në Gjilan pretendon se E.A. ka grumbulluar në total 189.206.8 euro.

Pjesa më e madhe është mbledhur përmes GoFundMe, përkatësisht 162.522 euro, ndërkaq 26.684.8 euro u mblodhën në qytetin e Gjilanit.

Ky institucion tha se pas informacioneve për dyshime për mashtrim, reagoi menjëherë dhe bllokoi të gjitha paratë që gjendeshin në llogaritë e evidentuara për rastin dhe e arrestoi të dyshuarin mbrëmjen e 21 nëntorit.

Kjo Prokurori pretendon se nga 9 nëntori deri më 21 nëntor, E.A. me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm pasuror për vete, duke u paraqitur si i sëmurë me leukemi akute, prezantoi dokumentacion të rremë nga një spital në Stamboll të Turqisë me arsyetimin se do t’i nënshtrohej trajtimit jashtë vendit për këtë sëmundje.

Ai më pas kishte hapur në GoFundMe një fushatë për mbledhjen e parave, ndërkaq në Gjilan me ndihmën e familjarëve dhe personave të tjerë kishin mbledhur para po ashtu.

I dyshuari po ashtu kishte publikuar në rrjete sociale video duke kërkuar ndihmë për shërimin e tij jashtë vendit, duke pretenduar se vuante nga sëmundja e leukemisë akute.

Sipas Kodit Penal të Kosovës, nëse Endrit Azemi gjendet fajtor për këtë vepër penale, ai mund të dënohet me gjobë ose me burgim nga tre deri në dhjetë vjet.

Leukemia akute është një lloj i kacerit të gjakut dhe palcës së eshtrave që çon në shumimin e pakontrolluar të qelizave të bardha të gjakut.

Ky lloj kanceri vlerësohet si agresiv dhe mund të përparojë me shpejtësi dhe kërkon trajtim urgjent.

Për ta diagnostikuar këtë sëmundje, mjekët kërkojnë që pacienti të bëjë analizë të gjakut dhe nëse vërehet parregullsi, atëherë pacienti bën biopsi të palcës së eshtrave.

Trajtimi për këtë sëmundje mund të përfshijë disa metoda, sikurse është kimioterapia dhe forma të tjera.