Deputetet kërkojnë përgjegjësi institucionale dhe më shumë siguri për gratë
Dhuna ndaj grave është plagë e shoqërisë dhe dështim i sistemit, ndërsa siguria e tyre duhet të jetë pjesë e planifikimit urban, transportit publik dhe investimeve komunale. Kështu u tha në Asamblenë e grave parlamentare dhe asambleiste, të organizuar nga Grupi i Grave Deputete, në hapje të fushatës së “16 Ditëve të Aktivizimit kundër dhunës…
Lajme
Dhuna ndaj grave është plagë e shoqërisë dhe dështim i sistemit, ndërsa siguria e tyre duhet të jetë pjesë e planifikimit urban, transportit publik dhe investimeve komunale.
Kështu u tha në Asamblenë e grave parlamentare dhe asambleiste, të organizuar nga Grupi i Grave Deputete, në hapje të fushatës së “16 Ditëve të Aktivizimit kundër dhunës me bazë gjinore”, me temën “Të sigurojmë drejtësi, të mbrojmë të mbijetuarat dhe t’i japim fund pandëshkueshmërisë”.
Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Arjeta Rexhepi, tha se gratë kanë pasur rol të rëndësishëm në historinë e Kosovës, duke qenë pjesë e rezistencës, protestave, luftës për liri dhe kërkimit të drejtësisë.
Ajo theksoi se barazia gjinore nuk është betejë mes grave dhe burrave, por përpjekje e përbashkët e shoqërisë kundër padrejtësisë.
“Në historinë më të afërt të Kosovës, gratë nuk ishin vetëm pjesë e rezistencës. Ato ishin rezistencë. Ishin në valë të protestave, të organizimit, të luftës për liri, të përkujdesjes, të rindërtimit dhe të kërkimit të drejtësisë. Ishin dhe janë zëri i nënave, i motrave, i vajzave, i grave që refuzuan ta pranojnë padrejtësinë si fat. Por historitë e sakrificës së gruas nuk duhet të jenë arsyeja e vetme për ta vlerësuar atë… Kur flasim për barazinë gjinore, nuk flasim për një betejë të grave kundër burrave. Flasim për një betejë të shoqërisë kundrejt padrejtësisë. Nuk flasim për zëvendësimin e një dominimi me një tjetër, por për ndërtimin e një shoqërie ku askush nuk duhet të jetë më pak i lirë, më pak i sigurt apo më pak i vlerësuar për shkak të gjinisë. Dhe kur flasim për dhunën ndaj grave, nuk mund ta reduktojmë atë në një statistikë, në një raport policor, në një lajm që zgjat disa orë. Dhuna ndaj gruas është një plagë e shoqërisë, është dështim i një sistemi ku viktima duhet të kërkojë mbrojtje disa herë. Është dështim i drejtësisë kur frika e viktimës është më e madhe se frika e dhunuesit nga ligji”, tha ajo.
Ndërkaq, Besa Kabashi-Ramaj nga PDK-ja ngriti çështjen e kufizimit të lirisë së grave për shkak të pasigurisë dhe dhunës, duke thënë se shumë prej tyre detyrohen të ndryshojnë mënyrën e jetesës dhe të heqin dorë nga angazhimi publik.
“Çfarë kuptimi ka liria për një grua që jeton me frikë brenda shtëpisë së saj? Për një vajzë që duhet të mendojë se nga cila rrugë duhet të kthehet në shtëpi, në çfarë ore dhe në shoqërinë e pritur, apo për një grua që heq dorë nga angazhimi publik, sepse çmimi i pjesëmarrjes së saj është bërë kërcënimi, denigrimi dhe cenimi i dinjitetit të saj njerëzor? Këto janë kufizime reale të lirisë, edhe pse rrallëherë i trajtojmë si të tilla… Përgjegjësia jonë si ligjvënëse është të sigurohemi që institucionet të kenë kompetencat, kapacitetet dhe burimet e nevojshme për të vepruar, por edhe të kërkojmë llogaridhënie në mënyrën se si ato ushtrohen. Mbrojtja e jetës nuk mund të mbetet peng i ndarjes së kompetencave ndërmjet institucioneve, as i mungesës së komunikimit ndërmjet tyre. Pikërisht këtu bashkëpunimi në mes të Kuvendit të Republikës së Kosovës dhe kuvendeve komunale merr rëndësi të jashtëzakonshme. Siguria e grave duhet të jetë pjesë e planifikimit urban, organizimit të transportit publik, ndriçimit të rrugëve, planifikimit të hapësirave përreth shkollave dhe çdo investimi që përcakton mënyrën se si qytetarët tanë e jetojnë përditshmërinë e tyre”, tha ajo.