74 milionë euro në pritje, Musmurati alarmon për gjendjen e ndërmarrjes “Pastrimi”

Nënkryetarja e Komunës së Prishtinës, Besianë Musmurati, i ka kërkuar ministrit të Financave, Hekuran Murati, të ndërmarrë masa urgjente për të ndihmuar ndërmarrjen publike “Pastrimi”, duke paralajmëruar për rrezikun e falimentimit të saj. Kërkesa është bërë gjatë një konference për media të mbajtur para ndërtesës së Qeverisë së Kosovës, ku Musmurati ka kërkuar edhe nënshkrimin…

Lajme

24/11/2026 15:01

Nënkryetarja e Komunës së Prishtinës, Besianë Musmurati, i ka kërkuar ministrit të Financave, Hekuran Murati, të ndërmarrë masa urgjente për të ndihmuar ndërmarrjen publike “Pastrimi”, duke paralajmëruar për rrezikun e falimentimit të saj.

Kërkesa është bërë gjatë një konference për media të mbajtur para ndërtesës së Qeverisë së Kosovës, ku Musmurati ka kërkuar edhe nënshkrimin e marrëveshjes për projektin në vlerë prej 74 milionë eurosh.

Ky projekt, i zhvilluar në bashkëpunim me bankën gjermane KfW, parasheh modernizimin e sistemit të menaxhimit të mbeturinave në kryeqytet.

Në kuadër të tij parashihet blerja e 100 kamionëve të rinj, 10 mijë kontejnerëve, ndërtimi i një qendre riciklimi dhe përmirësimi i infrastrukturës për menaxhimin e mbeturinave.

Musmurati ka bërë të ditur se Qeveria e Kosovës kishte dhënë miratimin në parim për këtë projekt më 18 dhjetor 2024, por marrëveshja ende nuk është nënshkruar.

Ajo i ka kërkuar ministrit Murati që të mos e pengojë realizimin e këtij projekti, por të kontribuojë në rimëkëmbjen dhe zhvillimin e ndërmarrjes.

Gjatë konferencës, me një kamion të vjetër të ndërmarrjes dhe punëtorët e saj në prapavijë, Musmurati ka paraqitur gjendjen me të cilën përballet “Pastrimi” në ofrimin e shërbimeve për qytetarët e Prishtinës.

Nënkryetarja ka treguar gjithashtu se javën e kaluar u është drejtuar deputetëve të Kuvendit të Kosovës, të cilëve ua ka dorëzuar dokumentacionin zyrtar të projektit, duke kërkuar llogaridhënie nga ministri i Financave.

Ajo ka kërkuar mbështetje urgjente financiare për ndërmarrjen, me qëllim të parandalimit të falimentimit, ruajtjes së vendeve të punës dhe vazhdimit të shërbimeve për qytetarët.

Sipas saj, nënshkrimi i marrëveshjes prej 74 milionë eurosh do të mundësonte modernizimin e ndërmarrjes dhe përmirësimin e dukshëm të shërbimit të pastrimit në kryeqytet. /Lajmi.net/