Buxheti 2027 dhe reforma në drejtësi, 8 komisione parlamentare mblidhen sot
Tetë komisione parlamentare të Kuvendit të Kosovës do të zhvillojnë sot mbledhje, me fokus buxhetin për vitin 2027, reformën në drejtësi dhe raportet e institucioneve publike. Komisioni për Legjislacion, Mandate, Imunitete dhe Rregulloren e Kuvendit do të shqyrtojë raportet me amendamente për 5 projektligje që kanë të bëjnë me sistemin e drejtësisë. Ato përfshijnë rekrutimin,…
Lajme
Tetë komisione parlamentare të Kuvendit të Kosovës do të zhvillojnë sot mbledhje, me fokus buxhetin për vitin 2027, reformën në drejtësi dhe raportet e institucioneve publike.
Komisioni për Legjislacion, Mandate, Imunitete dhe Rregulloren e Kuvendit do të shqyrtojë raportet me amendamente për 5 projektligje që kanë të bëjnë me sistemin e drejtësisë. Ato përfshijnë rekrutimin, vlerësimin e performancës dhe përgjegjësitë disiplinore të gjyqtarëve dhe prokurorëve, si dhe ndryshimet në ligjet për Këshillin Prokurorial dhe Këshillin Gjyqësor të Kosovës.
Në rendin e ditës të këtij komisioni është edhe shqyrtimi i aplikimeve të kandidatëve për zgjedhjen e 2 anëtarëve të Këshillit Gjyqësor të Kosovës dhe për pozitën e drejtorit të Agjencisë për Parandalimin e Korrupsionit.
Projektligji për ndarjet buxhetore për vitin 2027 do të shqyrtohet nga Komisioni për Çështje të Sigurisë dhe Mbrojtjes dhe Komisioni për Arsim, në kuadër të fushëveprimit të tyre.
Komisioni për Ekonomi do të shqyrtojë Raportin Vjetor të Punës së Zyrës së Rregullatorit për Energji për vitin 2025.
Ndërkohë, në Komisionin për Shëndetësi do të diskutohen listat e pritjes në institucionet shëndetësore, furnizimi me barna nga lista esenciale dhe pajisjet medicinale.
Gjendja e mjedisit në Kosovë gjatë vitit 2025 do të jetë temë e mbledhjes së Komisionit për Mjedis, ku për shqyrtimin e raportit përkatës është ftuar të marrë pjesë ministrja Fitore Pacolli-Dalipi.
Komisioni për Punë të Jashtme dhe Diasporë do të zhvillojë një takim me ambasadorin e Bashkimit Evropian në Kosovë, Dirk Schuebel.
Ndërsa Komisioni për Administratë Publike do të shqyrtojë listën e kandidatëve për anëtarë të Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës.