A po paralajmëron Irani thyerjen e bllokadës amerikane pasi të ardhurat nga nafta po i shterohen?

Komentatorët e linjës së ashpër dhe mediat pranë Gardës Revolucionare Islamike të Iranit (IRGC) po bëjnë gjithnjë e më shumë thirrje që Irani ta sfidojë bllokadën detare amerikane ndaj porteve dhe ujërave iraniane, për shkak se të ardhurat nga eksporti i naftës së papërpunuar dhe kondensatit parashikohet të bjerë në zero kah mesi i dhjetorit.…

Bota

22/11/2026 16:44

Komentatorët e linjës së ashpër dhe mediat pranë Gardës Revolucionare Islamike të Iranit (IRGC) po bëjnë gjithnjë e më shumë thirrje që Irani ta sfidojë bllokadën detare amerikane ndaj porteve dhe ujërave iraniane, për shkak se të ardhurat nga eksporti i naftës së papërpunuar dhe kondensatit parashikohet të bjerë në zero kah mesi i dhjetorit.

Ata propozojnë që një “grup cisternash nafte” të lundrojë përmes bllokadës, si dhe të bëhen kërcënime për ta goditur infrastrukturën e naftës të vendeve fqinje të Iranit në Gjirin Persik, nëse forcat amerikane i sulmojnë anijet iraniane.

Forcat iraniane kanë tentuar tashmë t’i sulmojnë caqet amerikane në Bahrejn dhe Kuvajt gjatë kësaj jave.

Fushata për promovimin e idesë së thyerjes së bllokadës mori hov më 19 nëntor, kur agjencia e lajmeve Fars, e lidhur me Gardën Revolucionare Islamike, publikoi një koment ku argumentonte në favor të dërgimit të një “konvoji cisternash nafte”.

Po atë ditë, shërbimi për gjurmimin e anijeve, TankerTrackers.com, publikoi një mesazh të shkurtër në rrjetin social X, duke thënë se “Irani duket se po përgatitet ta rifillojë eksportin e naftës”.

Asnjë institucion zyrtar iranian nuk ka njoftuar formalisht për ndonjë plan të tillë, por diskutimet tregojnë se sa shumë po e ndien Teherani ndikimin e bllokadës amerikane.

Sinjali më i afërt me një qëndrim zyrtar erdhi nga zëdhënësi i Gardës Revolucionare, Hossein Mohebbi. Më 19 nëntor, gjatë një tubimi në Teheran, ai tha: “Nuk do ta lejojmë vazhdimin e bllokadës detare, tokësore dhe ajrore, të vendosur ndaj vendit tonë”.

Ende vetëm një ide

Për ta mbështetur argumentin e vet, agjencia Fars iu referua Shahnamesë, eposit kombëtar të Iranit. Në këtë vepër, kur heroi mitik Fereydun mbërrin te lumi Arvand, gjatë rrugës për të rrëzuar tiranin Zahhak, roja e lumit refuzojnë t’i japë anije. Fereyduni nuk pret. Ai dhe njerëzit e tij futen në ujë me kuajt dhe e kalojnë lumin.

“Ne nuk do të presim lejen e Amerikës”, argumentoi Fars. “Ne e hapim rrugën dhe e rrisim aq shumë koston e mbylljes së saj, saqë pala tjetër do të arrijë në përfundimin se është më mirë ta lërë të hapur”.

Fars paralajmëroi se çdo sulm ndaj ndonjë cisterne iraniane mund ta shtyjë Teheranin të hakmerret duke goditur objektet e naftës në gjithë Gjirin Persik. Veçmas, ai përmendi objektet në Katar, Arabinë Saudite dhe Emiratet e Bashkuara Arabe.

Propozimi gjeti shpejt mbështetje te figurat e linjës së ashpër, disa prej të cilave e paraqitën si një vendim që pritet të merret së shpejti, e jo thjesht si një sugjerim.

Deputeti Ebrahim Azizi, kryetar i Komisionit të rëndësishëm parlamentar për Sigurinë Kombëtare dhe Politikën e Jashtme, deklaroi në gjuhën angleze në X se Irani “nuk mund të bllokohet”. Në fund të postimit, ai vendosi edhe një simbol të orës së rërës.

Komentatori i linjës së ashpër, Ruhollah Jomei, shkroi për “vendimin e Republikës Islamike për të ngarkuar naftë bruto dhe për të dërguar një cisternë drejt Kinës”, blerësit më të madh të naftës iraniane.

Mojtaba Najafi, për të cilin disa media iraniane pretendojnë se ka lidhje me qarqet e pushtetit, shkroi: “Me sa duket, Teherani nuk dëshiron më të qëndrojë duarkryq përballë bllokadës dhe kërcënimeve”.

Nëse raportimet janë të vërteta, Irani po përpiqet “ta sfidojë aktivisht bllokadën”, tha Hamidreza Azizi, analist në Grupin Ndërkombëtar të Krizave.

Në një postim në X, ai argumentoi se nëse ndonjë cisternë arrin të kalojë, bllokada humb besueshmërinë. Nëse forcat amerikane e ndalojnë ose e sulmojnë atë, Teherani fiton një arsye të drejtpërdrejtë për hakmarrje.

Azizi shtoi se Irani po përpiqet “të marrë nismën ushtarake, duke ia lënë Uashingtonit përgjegjësinë për nxitjen e përshkallëzimit të radhës”.

Pragu kritik i mesit të dhjetorit

Sipas kompanisë së inteligjencës energjetike Kpler, të ardhurat e Iranit nga eksporti i naftës bruto dhe kondensatit mund të bien në zero deri në mesin e dhjetorit. Kjo do të ishte hera e parë në historinë e vendit që ndodh diçka e tillë.

Pasojat e bllokadës tashmë janë të dukshme në transportin e naftës iraniane. Të dhënat e Kpler tregojnë se sasia e naftës iraniane që ndodhej në anije jashtë zonës së bllokadës arriti kulmin prej 88.8 milionë fuçish më 14 korrik, kur bllokada u rivendos. Deri në mesin e tetorit, kjo sasi kishte rënë në zero, pasi ngarkesat e fundit ishin shkarkuar në Kinë.

Ndërkohë, 43 milionë fuçi të tjera nafte kanë mbetur të bllokuara brenda zonës së bllokadës, duke bërë që Teherani të ketë gjithnjë e më pak rezerva nafte që mund t’ua dërgojë blerësve.

Në një intervistë për Radion Farda të Radios Evropa e Lirë, Homayoun Falakshahi, analist i lartë i tregjeve të mallrave në Kpler, paralajmëroi se zhvillimet e fundit nuk duhet të interpretohen si dëshmi se Irani po përgatit një përpjekje të organizuar për ta thyer bllokadën.

“Pikëpamja jonë është se ende është herët të thuhet se Irani ka ndërmarrë hapa seriozë për ta thyer bllokadën detare”, tha ai.

Kpler ka identifikuar rreth 20 cisterna pranë ishullit Harg, terminalit kryesor të eksportit të naftës së Iranit, tha Falakshahi. Shumica e tyre tashmë i kanë ngarkuar ngarkesat me naftë, por kanë mbetur të palëvizshme, me sa duket, duke pritur heqjen e bllokadës para se të tentojnë të lundrojnë. Deri më tani, Kpler ka vërejtur vetëm një cisternë që ka lëvizur.

Megjithatë, është regjistruar të paktën një zhvillim i rëndësishëm. Më 17 nëntor, Kpler zbuloi se një cisternë iraniane me naftë bruto po transferonte ngarkesën e saj në një anije tjetër. Cisterna që pranoi ngarkesën është një anije që zakonisht përdoret për transportimin e mazutit rus, tha Falakshahi.

Megjithatë, ai paralajmëroi se këtij transferimi nuk duhet t’i jepet rëndësi e tepruar. Sipas tij, ai mund të jetë shkaktuar nga një problem teknik në anijen e parë dhe jo domosdo të jetë pjesë e një përpjekjeje më të gjerë për t’iu shmangur bllokadës.

Falakshahi shtoi se Irani zakonisht kryen transferime të naftës nga një anije në tjetrën pranë Malajzisë ose në brigjet e Omanit, e jo afër ishullit Harg.

“Besoj se duhet të presim edhe disa ditë për të parë nëse do të tentojnë të lëvizin më shumë cisterna”, tha Falakshahi.

Bllokadë e kushtueshme

Shtetet e Bashkuara vendosën për herë të parë bllokadën ndaj porteve iraniane më 13 prill, pasi dështuan bisedimet mes SHBA-së dhe Iranit në Islamabad. Bllokada u hoq më 18 qershor, në bazë të një memorandumi mirëkuptimi të nënshkruar një ditë më parë.

Pasi kjo marrëveshje dështoi, Uashingtoni e rivendosi bllokadën më 14 korrik dhe ajo ka mbetur në fuqi që atëherë. Në total, portet iraniane kanë qenë nën bllokadë për rreth 195 ditë, përfshirë 129 ditët e fundit pa ndërprerje.

Megjithatë, bllokada po i kushton shtrenjtë edhe Uashingtonit, si financiarisht, ashtu edhe për sa u përket burimeve ushtarake.

Gjatë një seance dëgjimore në Senat këtë javë, senatorja demokrate Elizabeth Warren iu referua vlerësimeve të pavarura, sipas të cilave bllokada kushton rreth 32.5 milionë dollarë në ditë. Këtë shifër e konfirmoi edhe Hung Cao, sekretari në detyrë i marinës amerikane.

Bloomberg, që publikoi shifrën e cituar nga Warren, ka raportuar gjithashtu se ky operacion angazhon më shumë se 30 për qind të anijeve luftarake të marinës amerikane.

Pentagoni e ka vlerësuar koston e përgjithshme të luftës me Iranin në 48.3 miliardë dollarë deri më 13 nëntor. Kjo shifër nuk përfshin dëmet e shkaktuara në bazat amerikane në rajon.

Megjithatë, kjo shumë është vetëm një pjesë e të ardhurave që Irani rrezikon t’i humbë. Kpler kishte vlerësuar më herët se bllokada po i shkaktonte Teheranit humbje prej 200 deri në 250 milionë dollarësh në ditë nga të ardhurat e parealizuara prej shitjes së naftës. /REL