Reagimet se i kanë ndarë vetëm 1.5 milionë për to, Pacolli: Mandat i digave, janë në proces, ndërtimet fillojnë më 2027-28

Fitore Pacolli, ministre e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, përmes një postimi në Facebook, ka thënë se mandati aktual i qeverisë do të jetë ‘’mandati i digave’’. Pacolli, në postimin e saj thotë se, tanimë janë në proces pesë diga strategjike, me të cilat synohet sigurimi i rezervave të reja ujore për furnizim me ujë të…

Lajme

20/11/2026 21:17

Fitore Pacolli, ministre e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, përmes një postimi në Facebook, ka thënë se mandati aktual i qeverisë do të jetë ‘’mandati i digave’’.

Pacolli, në postimin e saj thotë se, tanimë janë në proces pesë diga strategjike, me të cilat synohet sigurimi i rezervave të reja ujore për furnizim me ujë të pijshëm, bujqësi dhe energji.

‘‘Kuqica: Projektimi final përmbyllet gjatë vitit 2027, kur hapet edhe tenderi për ndërtim. Punimet nisin në vitin 2028; Pollata: Dizajni konceptual ka përfunduar. Gjatë vitit 2027 përmbyllet projekti final dhe hapet tenderi. Ndërtimi nis në vitin 2028; Desivojca: Studimet përgatitore kanë përfunduar dhe projekti detal është në proces të kompletimit. Përmbyllet në vitin 2027, ndërsa ndërtimi nis në vitin 2028; Firaja: Studimet përgatitore kanë përfunduar dhe projekti detal është në proces të kompletimit. Përmbyllet në vitin 2027, ndërsa ndërtimi nis në vitin 2028; Dragaqina: Projekti është në fazën përgatitore dhe projektuese, ndërsa ndërtimi planifikohet të nisë në vitin 2029’’, ka shkruar Pacolli.

Ministrja, në postimin e saj deklaron po ashtu se financimi i digave të lartpërmendura do bëhet nga buxheti i vendit, grantet dhe kreditë e buta. Ajo shton edhe se ka nisur ‘’bashkëpunimin me Turqinë për ekspertizë teknike dhe garantimin e standardeve më të larta të ndërtimit’’.

Në anën tjetër, deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami, ka deklaruar se qeveria, në buxhetin e vitit 2027, s’ka ndarë më shumë se 1.5 milionë euro për digat.

Bajrami, thekson edhe se, ky buxhet është ndarë nga premtimi prej 400 milionë eurosh investime.