Mblidhet PDK-ja, Çitaku paralajmëron strategji shtetërore për mbrojtjen e ish-krerëve të UÇK-së në Hagë
Partia Demokratike e Kosovës ka mbajtur sot një takim të përbashkët të Kryesisë, Grupit Parlamentar dhe kryetarëve të degëve, ku është diskutuar për zhvillimet e fundit lidhur me procesin gjyqësor ndaj ish-krerëve të UÇK-së në Hagë. Ushtruesja e detyrës së kryetares së PDK-së, Vlora Çitaku, ka bërë të ditur se javën e ardhshme pritet të…
Lajme
Partia Demokratike e Kosovës ka mbajtur sot një takim të përbashkët të Kryesisë, Grupit Parlamentar dhe kryetarëve të degëve, ku është diskutuar për zhvillimet e fundit lidhur me procesin gjyqësor ndaj ish-krerëve të UÇK-së në Hagë.
Ushtruesja e detyrës së kryetares së PDK-së, Vlora Çitaku, ka bërë të ditur se javën e ardhshme pritet të prezantohen strategjia shtetërore për mbrojtjen në apel dhe një iniciativë e re ligjore për Dhomat e Specializuara, raporton lajmi.net.
Sipas njoftimit të PDK-së, iniciativa e re ligjore do të mbështetet në tekstin e miratuar nga Kuvendi në tetor, duke përfshirë edhe kontributet e PDK-së, ekspertëve dhe grupit punues.
Çitaku ka theksuar rëndësinë e bashkëpunimit ndërmjet partive parlamentare shqiptare për këtë çështje, duke vlerësuar se uniteti politik në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së ka rëndësi historike.
Ajo ka falënderuar subjektet politike për bashkëpunimin dhe mirëkuptimin e treguar deri më tani.
Ushtruesja e detyrës së kryetares së PDK-së ka ritheksuar se mbështetja e mbrojtjes juridike të ish-krerëve të UÇK-së në procesin e apelit mbetet prioritet absolut për partinë e saj.
Sipas PDK-së, angazhimi do të përqendrohet në sigurimin e mbështetjes institucionale dhe financiare, në mënyrë që ekipet mbrojtëse të kenë në dispozicion kapacitetet dhe fondet e nevojshme për veprimet juridike.
PDK-ja ka deklaruar se synimi i saj është rrëzimi i një aktgjykimi eventual dënues të shkallës së parë përmes procedurës së apelit./Lajmi.net/