Faton Hasani, i cili javë më parë kishte shpallur kandidaturën për kryetar të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), ka njoftuar se ka vendosur të largohet nga kjo parti, pas 26 vitesh angazhim politik.
Përmes një postimi në Facebook, Hasani ka bërë të ditur se vendimi i tij lidhet me atë që e konsideron largim të PDK-së nga vlerat dhe kauza mbi të cilat ishte themeluar, transmeton lajmi.net.
Ai ka përmendur në veçanti qëndrimin e partisë lidhur me Ligjin për Gjykatën Speciale dhe tërheqjen e tij, duke e cilësuar këtë si “kulmin e hipokrizisë politike dhe të mungesës së qëndrueshmërisë parimore”.
“Për mua, kjo është një vijë e kuqe. Lufta Çlirimtare nuk është pronë e asnjë partie politike, as mjet për pazare dhe as instrument për interesa të ditës. Ajo është vlerë historike dhe themel i shtetësisë sonë”, ka shkruar Hasani.
Ai ka theksuar se largimi nuk lidhet me pakënaqësi personale apo interesa të parealizuara, por me bindjet e tij politike dhe parimore. Hasani ka bërë të ditur se nga sot nuk është më pjesë e PDK-së dhe se nuk do t’i bashkohet asnjë subjekti tjetër politik.
“Nuk largohem nga vlerat për të cilat kam besuar dhe vepruar. Përkundrazi, pikërisht për shkak të tyre po marr këtë vendim”, ka shkruar ai.
Në fund, Hasani ka falënderuar bashkëpunëtorët me të cilët ka ndarë rrugëtimin 26-vjeçar, duke shtuar se mbi interesat partiake qëndrojnë Kosova, historia dhe dinjiteti kombëtar.
Postimi i plotë:
KËTU NDAHEN RRUGËT E MIA ME PDK-në!
Të dashur miq, bashkëpunëtorë dhe bashkudhëtarë të rrugëtimit tim politik,
Pas 26 vitesh angazhim, përkushtim dhe bashkërrugëtim me Partinë Demokratike të Kosovës, kam marrë një vendim të rëndësishëm dhe të menduar thellë, nga sot, rrugëtimi im politik me PDK-në përfundon.
Ajo që më ka lidhur për më shumë se një çerek shekulli me këtë subjekt politik nuk ka qenë interesi personal, pozita apo ndonjë përfitim partiak. Më ka lidhur origjina e saj, lufta çlirimtare, sakrifica e popullit tonë dhe kauza politike mbi të cilën u themelua PDK-ja.
Kam besuar se PDK-ja do të mbetej përfaqësuese e këtyre vlerave, e sakrificës së çlirimtarëve dhe e idealit për të cilin u luftua. Por, fatkeqësisht, sot konsideroj se ka një shkëputje të thellë ndërmjet asaj që përfaqësonte në themel dhe asaj që po përfaqëson në realitet.
Mënyra se si u veprua me Ligjin për Gjykatën Speciale, e veçanërisht tërheqja e tij, përbën kulmin e hipokrizisë politike dhe të mungesës së qëndrueshmërisë parimore.
Nuk mund të pretendohet se mbrohen vlerat e luftës çlirimtare, ndërkohë që me lirinë, dinjitetin dhe fatin e çlirimtarëve bëhen kalkulime dhe pazare politike.
Për mua, kjo është një vijë e kuqe.
Lufta Çlirimtare nuk është pronë e asnjë partie politike, as mjet për pazare dhe as instrument për interesa të ditës. Ajo është vlerë historike dhe themel i shtetësisë sonë.
Konsideroj se PDK-ja është larguar nga një pjesë thelbësore e kauzës dhe përgjegjësisë historike mbi të cilën u themelua. Në këto rrethana, nuk shoh më arsye politike, morale apo parimore për të vazhduar të jem pjesë e saj.
Dua të jem i qartë ,ky vendim nuk buron nga ndonjë pakënaqësi personale, nga ndonjë mospajtim për pozita apo nga ndonjë interes i parealizuar. Është rezultat i një bindjeje të thellë se kur një subjekt politik largohet nga parimet dhe kauza që e kanë lindur, secili duhet të ketë guximin të zgjedhë ndërmjet besnikërisë ndaj partisë dhe besnikërisë ndaj bindjeve të veta.
Për mua, mbi çdo interes partiak qëndron interesi shtetëror dhe kombëtar. Mbi çdo kalkulim politik qëndrojnë dinjiteti, e vërteta dhe përgjegjësia ndaj historisë sonë.
Prandaj, nga sot, nuk jam më anëtar i Partisë Demokratike të Kosovës dhe nuk i përkas asnjë subjekti tjetër politik. Ky është vendimi im dhe qëndrimi im politik.
Të gjithë atyre me të cilët kam bashkudhëtuar për 26 vite, me të cilët kam ndarë angazhime, sfida, suksese dhe momente të vështira, u shpreh respektin tim dhe u dëshiroj shëndet, mbarësi dhe suksese në jetën personale e profesionale.
Edhe subjektit politik të cilit i takova për 26 vite i uroj punë të mbarë.
Unë largohem me bindjet e mia, me përgjegjësinë për qëndrimet që kam mbajtur dhe me respektin për të gjithë ata që kanë qenë pjesë e këtij rrugëtimi.
Nuk largohem nga vlerat për të cilat kam besuar dhe vepruar.
Përkundrazi, pikërisht për shkak të tyre po marr këtë vendim.
Partitë politike vijnë dhe shkojnë, por Kosova, historia, sakrifica dhe dinjiteti kombëtar mbeten mbi të gjithë ne!
Me respekt,
Faton Hasani./lajmi.net/