Privat në oborr të shtetërorit: “Jetimat e Ballkanit” paralajmërojnë ndërprerjen e marrëveshjes me PINEA-n

Pas disa javësh hulumtimi dhe raportimesh të lajmi.net për shfrytëzimin e një objekti publik në oborrin e Spitalit të Përgjithshëm të Gjilanit, organizata humanitare “Jetimat e Ballkanit” ka paralajmëruar ndërprerjen e marrëveshjes me poliklinikën private PINEA. Objekti ishte dhënë në shfrytëzim nga Komuna e Gjilanit për qëllime humanitare, por në të kishte zhvilluar aktivitet edhe…

Lajme

19/11/2026 19:17

Pas disa javësh hulumtimi dhe raportimesh të lajmi.net për shfrytëzimin e një objekti publik në oborrin e Spitalit të Përgjithshëm të Gjilanit, organizata humanitare “Jetimat e Ballkanit” ka paralajmëruar ndërprerjen e marrëveshjes me poliklinikën private PINEA.

Objekti ishte dhënë në shfrytëzim nga Komuna e Gjilanit për qëllime humanitare, por në të kishte zhvilluar aktivitet edhe poliklinika private PINEA, raporton lajmi.net.

Për pothuajse tri javë, gazetari i lajmi.net, Selim Miftari, ka hulumtuar rrethanat e funksionimit të biznesit privat në këtë pronë publike.

Komuna e Gjilanit ka konfirmuar se poliklinika PINEA ka ushtruar aktivitet në objektin në fjalë.

Megjithatë, pavarësisht kërkesave të vazhdueshme të lajmi.net, organizata “Jetimat e Ballkanit” nuk ka sqaruar mbi çfarë baze ishte mundësuar shfrytëzimi i objektit nga poliklinika private.

Asnjëra nga palët nuk ka vënë në dispozicion detajet e marrëveshjes.

Pas raportimeve, organizata ka paralajmëruar ndërprerjen e bashkëpunimit me PINEA-n, ndërsa mbetet e paqartë se kur do të zbatohet ky vendim./Lajmi.net/

VIDEO: