Bajrami demanton shifrat e Qeverisë për 100 mijë vende të reja pune: Në Trust figurojnë 9 mijë kontribuues më pak
Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Hykmete Bajrami, ka kritikuar pretendimet e Qeverisë për krijimin e 100 mijë vendeve të reja të punës, duke iu referuar të dhënave të kontribuuesve në Trustin Pensional të Kosovës. Përmes një postimi në Facebook, Bajrami ka krahasuar numrin e kontribuuesve në Trust gjatë dy periudhave katërvjeçare, 2017–2021 dhe…
Lajme
Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Hykmete Bajrami, ka kritikuar pretendimet e Qeverisë për krijimin e 100 mijë vendeve të reja të punës, duke iu referuar të dhënave të kontribuuesve në Trustin Pensional të Kosovës.
Përmes një postimi në Facebook, Bajrami ka krahasuar numrin e kontribuuesve në Trust gjatë dy periudhave katërvjeçare, 2017–2021 dhe 2021–2025, duke thënë se shifrat nuk përputhen me deklaratat e ekzekutivit, transmeton lajmi.net.
Sipas saj, gjatë periudhës 2017–2021 numri i kontribuuesve është rritur për 51 mijë, ndërsa në katërvjeçarin 2021–2025 rritja ka qenë 42 mijë.
Bajrami ka theksuar se kjo paraqet një diferencë prej 9 mijë kontribuuesish më shumë në periudhën paraprake, pavarësisht se ajo përfshinte edhe kohën e pandemisë.
Duke kritikuar deklaratat e Qeverisë, deputetja e LDK-së ka kërkuar sqarime se ku janë të pasqyruara 100 mijë vendet e reja të punës për të cilat është folur nga ekzekutivi.
Ajo e ka cilësuar propagandë pretendimin për këtë numër të vendeve të reja të punës.
Postimi i plotë:
“PROPAGANDA PËR PUNËSIMIN
Hajde t’i shohim shifrat!
Qeveria po na thotë se ka krijuar 100 mijë vende të reja pune, por shifrat e Trustit Pensional po na tregojnë diçka tjetër.
▪️ 2017–2021: 51 mijë kontribues më shumë.
▪️ 2021–2025: 42 mijë kontribues më shumë.
Pra, në katër vitet paraprake, përkundër pandemisë, numri i kontribuuesve është rritur për 9 mijë më shumë se në katër vitet e kësaj Qeverie.
Lene propagandën për punësim, tregoni ku janë ato 100 mijë vende pune?
Se në Trust nuk po figurojnë!”
Ndryshe, numri i kontribuuesve në Trustin Pensional është një prej treguesve të pjesëmarrjes në skemën pensionale, por nuk përfaqëson domosdoshmërisht numrin e plotë të vendeve të reja të punës./lajmi.net/