Trump: Edhe ne e spiunojmë Kinën, madje më mirë se ata që na spiunojnë neve

Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, ka komentuar pretendimet për spiunimin e SHBA-së nga Kina, duke deklaruar se edhe amerikanët kryejnë aktivitete të ngjashme ndaj Pekinit, madje, sipas tij, me më shumë sukses. Gjatë një prononcimi, Trump ka thënë se spiunimi është i ndërsjellë mes dy fuqive, duke pretenduar se SHBA-ja ka…

Bota

19/11/2026 17:02

Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, ka komentuar pretendimet për spiunimin e SHBA-së nga Kina, duke deklaruar se edhe amerikanët kryejnë aktivitete të ngjashme ndaj Pekinit, madje, sipas tij, me më shumë sukses.

Gjatë një prononcimi, Trump ka thënë se spiunimi është i ndërsjellë mes dy fuqive, duke pretenduar se SHBA-ja ka kapacitete më të avancuara në këtë drejtim, transmeton lajmi.net.

“Ata thonë: ‘Oh, ata po na spiunojnë.’ Epo, edhe ne i spiunojmë ata. Madje, mendoj se ne spiunojmë më mirë sesa ata. Nuk mund t’ju tregoj për këtë. Nuk mund t’ju tregoj se çfarë bëjmë. Por, le ta themi kështu: unë di gjithçka. Ne e spiunojmë Kinën, ndërsa ata na spiunojnë ne”, ka deklaruar Trump.

I pyetur nëse do t’i kërkojë Kinës që të ndalojë aktivitetet e spiunazhit ndaj SHBA-së, presidenti amerikan ka lënë të kuptohet se nuk ka ndërmend ta bëjë një kërkesë të tillë.

Trump ka thënë se nuk do të ishte domosdoshmërisht i gatshëm të ndalte veprimet e ngjashme të SHBA-së, edhe nëse një kërkesë e tillë do t’i bëhej nga pala kineze.

“Jo. Le të më kërkojë mua të ndaloj së bëri këtë, dhe nuk e di nëse do ta bëja. E dini, kur thonë se Kina po na spiunon, unë them: Keni të drejtë. Por edhe ne i spiunojmë ata, e dini. Edhe ne i spiunojmë ata”, ka theksuar presidenti amerikan.

Deklaratat e Trump vijnë në një kohë kur aktivitetet e inteligjencës dhe akuzat për spiunazh mbeten pjesë e marrëdhënieve mes Uashingtonit dhe Pekinit./lajmi.net/