Ymeri: Banorët në fshatra i marrin faturat e KEDS-it në markete e shtylla, institucionet nuk po përgjigjen

Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Janina Ymeri, ka ngritur shqetësimin për mënyrën e shpërndarjes së faturave të energjisë elektrike nga KEDS-i në zonat rurale, duke kërkuar që ato t’u dorëzohen konsumatorëve drejtpërdrejt në adresat e tyre të banimit. Ajo ka thënë se banorët e fshatrave detyrohen t’i marrin faturat në markete, sallone ondulimi,…

Lajme

19/11/2026 13:28

Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Janina Ymeri, ka ngritur shqetësimin për mënyrën e shpërndarjes së faturave të energjisë elektrike nga KEDS-i në zonat rurale, duke kërkuar që ato t’u dorëzohen konsumatorëve drejtpërdrejt në adresat e tyre të banimit.

Ajo ka thënë se banorët e fshatrave detyrohen t’i marrin faturat në markete, sallone ondulimi, madje edhe në shtylla, praktikë të cilën e ka kritikuar si të papranueshme.

“Ndoshta më herët edhe deri tash, banorët e fshatrave janë mësuar të pranojnë faturat në markete, sallone ondulimi, por edhe në shtylla. Kjo jo veç që na kthen para lufte dhe më herët, por nuk guxon të tolerohet”, ka deklaruar Ymeri në Kuvend.

Deputetja ka bërë të ditur se lidhur me këtë çështje ka dorëzuar ankesa në Zyrën e Rregullatorit për Energji (ZRRE), Agjencinë për Informim dhe Privatësi (AIP) dhe Departamentin për Mbrojtjen e Konsumatorit, por sipas saj, nuk ka marrë përgjigje nga asnjëri institucion.

Ajo ka kërkuar që këto institucione të trajtojnë ankesat dhe të ndërmarrin veprime për të garantuar të drejtat e konsumatorëve.

“Ky është absurditet institucional, ku lejohet KEDS-i të veprojë qysh do. Iu bëj thirrje klientëve që faturat nuk ka asnjë arsye KEDS-i të mos ua sjellë në shtëpitë e tyre, sepse në rast të shkyçjes, KEDS-i ua gjen shtëpitë”, ka thënë Ymeri.

Ajo ka theksuar se institucionet përgjegjëse duhet të japin llogari për mosadresimin e ankesave, duke përmendur se ZRRE-ja dhe AIP-ja janë institucione të zgjedhura nga Kuvendi.

“Ky Kuvend, kur një deputet dërgon pyetje për konsumatorët, nuk ka të drejtë të mos përgjigjet”, është shprehur ajo.

Në fund, Ymeri ka kritikuar edhe mosrealizimin e shtetëzimit të KEDS-it, duke thënë se, së paku, faturat duhet t’u dërgohen konsumatorëve në shtëpitë e tyre.

“Meqë kryeministri nuk e shtetëzoi KEDS-in kurrë, është mirë bile faturat të shkojnë në shtëpitë e klientëve”, ka përfunduar deputetja e LDK-së. /Lajmi.net/