Vjedhje identiteti e transaksione me Bitcoin – Pse u ekstradua në Amerikë nipi i Haxhi Avdylit?

Hektor Avdyli, apo njohur ndryshe në publik si nipi i ish-deputetit Haxhi Avdyli, është ekstraduar nga Kosova në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku kërkohej nga autoritetet amerikane nën dyshimin për përfshirje në disa vepra penale që lidhen me krimet kibernetike. Sipas njoftimit të Policisë së Kosovës, ekstradimi është realizuar më 19 nëntor 2026, në…

Lajme

19/11/2026 11:45

Hektor Avdyli, apo njohur ndryshe në publik si nipi i ish-deputetit Haxhi Avdyli, është ekstraduar nga Kosova në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku kërkohej nga autoritetet amerikane nën dyshimin për përfshirje në disa vepra penale që lidhen me krimet kibernetike.

Sipas njoftimit të Policisë së Kosovës, ekstradimi është realizuar më 19 nëntor 2026, në Aeroportin Ndërkombëtar “Adem Jashari”, në koordinim me institucionet e drejtësisë dhe Drejtorinë për Bashkëpunim Ndërkombëtar Policor.

Avdyli iu dorëzua autoriteteve amerikane, përkatësisht njësisë U.S. Marshals, pas kërkesës së paraqitur nga institucionet e drejtësisë në SHBA.

Për çfarë dyshohet?

Sipas dokumenteve të autoriteteve amerikane, përfshirë aktakuzën e datës 7 tetor 2025, Hektor Avdyli dyshohet për disa vepra penale, mes tyre mashtrim përmes komunikimeve elektronike, mashtrim me pajisje të qasjes, vjedhje të identitetit në rrethana rënduese dhe hyrje të paautorizuar në sisteme kompjuterike.

Në dokumentacionin e dorëzuar për ekstradim përfshihen edhe deklarata nën betim të prokurorit federal Benjamin Proctor dhe agjentes speciale të FBI-së, Madeline Hoehnen.

Dyshimet e autoriteteve amerikane lidhen edhe me transaksione përmes Bitcoin-it, të dhëna të një llogarie në platformën Binance të regjistruar në emrin e tij, si dhe blerje të kontrolluara të të dhënave të kartelave të kreditit.

Ndërkohë, Hektor Avdyli ishte arrestuar në Prizren, gjatë një operacioni të zhvilluar në orët e hershme të mëngjesit nga Njësia për Hetimin e Krimeve Kibernetike.

Çfarë thuhej në vendimin e Apelit për ekstradim?

Gjykata e Apelit të Kosovës pati refuzuar si të pabazuar ankesën e avokatit të Hektor Avdylit, Blerim Mazreku, kundër vendimit të Gjykatës Themelore në Prishtinë, me të cilin ishte lejuar ekstradimi i tij në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Krejt kjo për faktin se kërkesa për ekstradim është paraqitur nga autoritetet kompetente të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ku përmes kanaleve diplomatike, përfshirë edhe aktakuzën e datës 07.10.2025, urdhër arrestin e lëshuar nga autoritetet gjyqësore amerikane, deklaratën nën betim të prokurorit federal Benjamin Proctor, si dhe deklaratën nën betim të agjentes speciale të FBI-së Madeline Hoehnen.

Sipas aktakuzës të autoriteteve të Shteteve të Bashkuara të Amerikës , Hektor Avdyli akuzohet për kryerjen e veprave penale si “mashtrime përmes komunikimeve elektronike”, “mashtrime me pajisjet e qasjes”, “vjedhja e identitetit në rrethana rënduese”, “hyrja e paautorizuar kompjuterike” në të cilat dyshohet se i njëjti është lidhur me këto veprime përmes transaksionit me Bitcoin, të dhënave të llogarisë Binance të regjistruara në emrin e tij si dhe blerjeve të kontrolluara të dhënave të kartave të kreditit.

Sipas aktvendimit, avokati Mazreku e ka kundërshtuar kompetencën lëndore të Prokurorisë Speciale dhe të Departamentit Special të Gjykatës Themelore në Prishtinë, duke pretenduar se për trajtimin e kërkesës për ekstradim kompetente duhej të ishte Prokuroria Themelore në Prizren, pasi që vendbanimi i të kërkuarit Avdyli ndodhej në Prizren.Gjithashtu avokati ka pretenduar se Gjykata e shkallës së parë nuk i kishte trajtuar në mënyrë të plotë çështjet që ndërlidheshin me hetimet e mëparshme të zhvilluara ndaj Avdylit në Kosovë, të cilat më pas ishin pushuar nga Prokuroria Speciale.
Sipas avokatit pas pushimit të hetimeve, provat dhe sendet e sekuestruara gjatë bastisjes në shtëpinë e Avdylit dhe familjarëve të tij është dashur të ktheheshin, dhe të mos kalonin në dosjen e bashkëpunimit juridik ndërkombëtar.

Avokati gjithashtu ka kundërshtuar edhe ekstradimin me pretendimin se veprimet për të cilat kërkohej Avdyli ndërlidheshin me territorin e Kosovës dhe kishte kërkuar që të merrej parasysh edhe fakti se ai është shtetas i Kosovës, jeton me familjen dhe është student.

Ndërsa Gjykata e Apelit ka vlerësuar se këto pretendime nuk qëndrojnë dhe se Gjykata Themelore ka dhënë arsye të mjaftueshme për lejimin e ekstradimit.Tutje, sa i përket kompetencës së Prokurorisë Speciale, Apeli ka vlerësuar se, përveç Prokurorisë Themelore sipas kriterit territorial, kompetencë për trajtimin e kërkesave për ekstradim ka edhe Prokuroria Speciale, sipas kompetencës së saj lëndore dhe kompetencave plotësuese të përcaktuara me ligj.

Sipas Apelit,  Prokuroria Speciale e kishte marrë çështjen në trajtim duke u mbështetur në nenin 10, paragrafin 1, nën-paragrafin 1.2 të Ligjit për Prokurorinë Speciale, duke pasur parasysh karakterin transnacional të veprave penale dhe nevojën për bashkëpunim ndërkombëtar me autoritetet e shteteve te Bashkuara të Amerikës.

Lidhur me pushimin e hetimeve në Kosovë, Apeli ka vlerësuar se ato janë pushuar për arsye juridiko-procedurale, për shkak të pamundësisë së zhvillimit paralel të dy procedurave për të njëjtat veprime, e jo për shkak të mungesës së dyshimit të arsyeshëm.

Ndërsa, sa i përket pretendimit për paligjshmërinë e sekuestrimit të sendeve dhe provave, Apeli ka vlerësuar se pushimi i hetimeve për arsye juridiko-procedurale nuk nënkupton se provat e siguruara gjatë tyre janë të kundërligjshme apo se të gjitha sendet e sekuestruara duhet të kthehen.

Gjykata ka theksuar se autoritetet Amerikane, në mbështetje të nenit 14 të Traktatit për Ekstradim, kanë kërkuar që sendet që lidhen me veprat penale për të cilat akuzohet Avdyli, të cilat janë gjetur në posedim të tij në momentin e arrestimit, t’u dorëzohen autoriteteve amerikane nëse ekstradimi miratohet.

Sipas Apelit, çështja e ligjshmërisë së sekuestrimit, mbajtjes apo kthimit të sendeve duhet të trajtohet në procedurën përkatëse dhe nuk ndikon vetvetiu në lejueshmërinë e ekstradimit.

Gjykata e Apelit i ka refuzuar edhe pretendimin se veprat penale janë kryer në territorin e Kosovës, duke theksuar se, sipas Traktatit për Ekstradim ndërmjet Kosovës dhe SHBA-së, kërkesa për ekstradim nuk mund të refuzohet vetëm për shkak të vendit ku është kryer vepra penale.

Në vendim thuhet se, edhe nëse një pjesë e veprimeve të pretenduara janë ndërmarrë nga territori i Kosovës, pasojat e tyre janë shkaktuar edhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku janë cenuar interesat juridike të shtetit kërkues.“Kërkesa për ekstradim nuk mund të refuzohet vetëm për shkak të vendit ku është kryer vepra penale. Në rastin konkret, edhe nëse një pjesë e veprimeve të pretenduara janë ndërmarrë nga territori i Kosovës, nga dokumentacioni rezulton se pasojat e tyre janë shkaktuar edhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku janë cenuar interesat juridike të shtetit kërkues” – thuhet në aktvendim.
Sa i përket dyshimit të arsyeshëm, Apeli ka vlerësuar se dokumentacioni i autoriteteve amerikane, përfshirë deklaratën nën betim të agjentes së FBI-së, blerjet e kontrolluara të të dhënave të kartave të kreditit, transaksionet me Bitcoin, të dhënat e llogarisë Binance të regjistruar në emër të Avdylit, si dhe të dhënat e llogarive Google dhe lidhjet e tjera digjitale, përbëjnë bazë të mjaftueshme për dyshimin e arsyeshëm.Megjithatë, Gjykata ka sqaruar se në procedurën e ekstradimit nuk vlerësohet fajësia e personit të kërkuar dhe as nëse provat janë të mjaftueshme për shpalljen e tij fajtor, pasi këto çështje i takojnë procedurës penale që do të zhvillohet në shtetin kërkues.

Në fund, Apeli ka vlerësuar se shtetësia kosovare e Avdylit, vendbanimi, gjendja familjare dhe statusi i tij si student nuk përbëjnë pengesa ligjore për ekstradim. Po ashtu, ka theksuar se mungesa e pëlqimit të tij për ekstradim përjashton vetëm procedurën e thjeshtësuar, por jo procedurën e rregullt të ekstradimit.

Gjykata e Apelit ka vërtetuar se është respektuar edhe parimi i specialitetit, sipas të cilit Avdyli nuk mund të ndiqet, gjykohet apo dënohet në SHBA për vepra të tjera të kryera para dorëzimit, përveç atyre për të cilat është lejuar ekstradimi.

Raportimi mbi arrestimin e tij në korrik të 2026-ës:

Një operacion i gjerë i Njësisë për Hetimin e Krimeve Kibernetike është zhvilluar në orët e hershme të mëngjesit në Prizren, ku ishte arrestuar Hektor Avdyli, nipi i ish-deputetit Haxhi Avdyli.

Me urdhër të gjykatës janë bastisur shtëpia e të dyshuarit dhe objektet përcjellëse, në kërkim të provave që lidhen me një hetim ndërkombëtar për vepra penale të natyrës kibernetike.

Gjatë aksionit janë sekuestruar, ose është synuar të sekuestrohen, pajisje elektronike, përfshirë kompjuterë, telefona të mençur, media digjitale dhe prova të tjera që mund të kenë rëndësi për procedurën hetimore.

Hektor Avdyli dyshohej për përfshirje në veprimtari kriminale që kanë prekur shtetas të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, përfshirë dyshime për qasje të paautorizuar në sisteme kompjuterike dhe të dhëna bankare.

Ndaj tij ishte është lëshuar urdhër-arrest nga autoritetet kompetente të SHBA-së, ndonëse ky informacion ende nuk është konfirmuar zyrtarisht nga institucionet përkatëse./Lajmi.net/