Pas raportimeve të lajmi.net, “Jetimat e Ballkanit” paralajmërojnë ndërprerjen e marrëveshjes me poliklinikën private “PINEA”

Pas disa javësh raportimesh dhe interesimi nga lajmi.net lidhur me shfrytëzimin e një objekti publik në oborrin e Spitalit të Përgjithshëm të Gjilanit, organizata humanitare “Jetimat e Ballkanit” ka paralajmëruar ndërprerjen e marrëveshjes me poliklinikën private PINEA. Bëhet fjalë për një objekt që Komuna e Gjilanit ia kishte dhënë në shfrytëzim organizatës “Jetimat e Ballkanit”…

Lajme

18/11/2026 11:28

Pas disa javësh raportimesh dhe interesimi nga lajmi.net lidhur me shfrytëzimin e një objekti publik në oborrin e Spitalit të Përgjithshëm të Gjilanit, organizata humanitare “Jetimat e Ballkanit” ka paralajmëruar ndërprerjen e marrëveshjes me poliklinikën private PINEA.

Bëhet fjalë për një objekt që Komuna e Gjilanit ia kishte dhënë në shfrytëzim organizatës “Jetimat e Ballkanit” për qëllime humanitare, por në të cilin kishte zhvilluar aktivitet edhe një biznes privat, raporton lajmi.net.

Për pothuajse tri javë, gazetari i lajmi.net, Selim Miftari është marrë me hulumtimin e mënyrës se si është mundësuar funksionimi i një poliklinike private brenda një objekti të destinuar për veprimtari humanitare.

Vetë Komuna e Gjilanit e ka konfirmuar se në këtë objekt ka ushtruar aktivitet edhe poliklinika PINEA.

Megjithatë, pavarësisht kërkesave të vazhdueshme të lajmi.net për sqarime, organizata “Jetimat e Ballkanit” nuk ka ofruar përgjigje se mbi çfarë baze ishte mundësuar shfrytëzimi i objektit nga një subjekt privat.

Po ashtu, asnjëra nga palët nuk ka vënë në dispozicion detajet e marrëveshjes që rregullonte shfrytëzimin e kësaj prone.

Tash, pas raportimeve dhe interesimit të lajmi.net, si dhe interesimit të mëvonshëm të RTK-së për të njëjtën çështje, organizata “Jetimat e Ballkanit” ka bërë të ditur se do ta ndërpresë marrëveshjen me poliklinikën PINEA./Lajmi.net/