Berisha: Nuk përjashtoj askënd nga bashkimi
Kryetari i Partisë Demokratike të Shqipërisë, Sali Berisha bëri thirrje sot për bashkimin e forcave politike dhe qytetarëve kundër qeverisë, duke deklaruar se në këtë proces nuk përjashton asnjë aktor politik. Gjatë takimit “Foltorja e Ripërtëritjes” në Berat, Berisha u shpreh se bashkimi duhet të jetë përtej dallimeve politike dhe platformave partiake, duke përfshirë…
Lajme
Kryetari i Partisë Demokratike të Shqipërisë, Sali Berisha bëri thirrje sot për bashkimin e forcave politike dhe qytetarëve kundër qeverisë, duke deklaruar se në këtë proces nuk përjashton asnjë aktor politik.
Gjatë takimit “Foltorja e Ripërtëritjes” në Berat, Berisha u shpreh se bashkimi duhet të jetë përtej dallimeve politike dhe platformave partiake, duke përfshirë edhe kreun e Lëvizjes Bashkë, Arlind Qori.
“Asnjë nuk përjashtoj unë në këtë bashkim”, deklaroi Berisha.
Ai ftoi të gjithë ata që e konsiderojnë qeverinë si një problem për vendin që t’i bashkohen kësaj nisme, duke theksuar se interesi kombëtar duhet të jetë mbi interesat partiake.
“Ne vërtet e duam PD-në, por e duam Shqipërinë pakrahasimisht më shumë”, u shpreh Berisha, duke shtuar se bashkëpunimi nuk kërkon ndryshimin e platformave politike të aktorëve të tjerë.
Sipas tij, synimi i këtij bashkimi duhet të jetë krijimi i kushteve për zgjedhje të lira dhe respektimi i vullnetit të qytetarëve.
Në vijim, kreu i PD-së deklaroi se kush ngurron përballë bashkimit duhet të reflektojë mbi rëndësinë e tij në situata që ai i cilësoi si rreziqe ekzistenciale.
“Para rreziqeve ekzistenciale ka pasur vetëm një qëndrim: bashkim, bashkim dhe vetëm bashkim”, tha Berisha.
Ai theksoi se Partia Demokratike do të vijojë procesin e ripërtëritjes dhe përpjekjet për bashkimin e forcave opozitare, duke kërkuar gjithashtu krijimin e një qeverie kujdestare për zgjedhjet.
“Duhet qytetarë të krijojmë një qeveri kujdestare për votën, të votojmë të lirë”, përfundoi Berisha.