“Zgjohu zotëri Kurti, se na more në qafë të gjithëve” – Rama i drejtohet Kurtit për çështjen e Lojërave Mesdhetare
Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka ngritur sërish alarmin për rrezikun që Kosova të humbasë të drejtën e organizimit të Lojërave Mesdhetare “Prishtina 2030”, duke i bërë thirrje të drejtpërdrejtë kryeministrit Albin Kurti që të ndërmarrë hapa urgjentë për përmbushjen e obligimeve që dalin nga marrëveshja për organizimin e kësaj ngjarjeje sportive. Në një paraqitje…
Lajme
Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka ngritur sërish alarmin për rrezikun që Kosova të humbasë të drejtën e organizimit të Lojërave Mesdhetare “Prishtina 2030”, duke i bërë thirrje të drejtpërdrejtë kryeministrit Albin Kurti që të ndërmarrë hapa urgjentë për përmbushjen e obligimeve që dalin nga marrëveshja për organizimin e kësaj ngjarjeje sportive.
Në një paraqitje në emisionin “DPT te Fidani”, Rama ka shprehur pakënaqësinë e tij për mënyrën se si po menaxhohet procesi, duke e konsideruar situatën alarmante dhe duke kërkuar përgjegjësi nga Qeveria e Kosovës, transmeton lajmi.net.
Në fund të emisionit, kryetari i Prishtinës pati edhe një mesazh të drejtpërdrejtë për kreun e ekzekutivit.
“Zgjohu zotëri Kurti, se na more në qafë të gjithëve”, deklaroi Rama.
Situata është rënduar edhe më shumë pas anulimit të takimit në Athinë ndërmjet përfaqësuesve të Kosovës dhe Komitetit Ndërkombëtar të Lojërave Mesdhetare (ICMG). Sipas njoftimit të Komitetit Olimpik të Kosovës, anulimi erdhi për shkak të mungesës së përgjigjeve, obligimeve të papërmbushura dhe moskonfirmimit të delegacionit brenda afatit të përcaktuar. Delegacioni ishte paraparë të përbëhej nga gjashtë përfaqësues: dy nga Qeveria, dy nga Komuna e Prishtinës dhe dy nga Komiteti Olimpik i Kosovës.
Për këtë zhvillim, Rama kishte reaguar edhe përmes një postimi në Facebook, ku kishte kërkuar përgjegjësi nga kryeministri Kurti dhe Qeveria.
“Albin Kurti dhe Qeveria e Kosovës duhet të japin llogari menjëherë! Ky është skandal! Ky është turpi i shtetit tonë!”, kishte shkruar ai./lajmi.net/