Çitaku: PDK-ja do të hyjë në proces të rregullt zgjedhor, konventa do të zgjedhë kryetarin e ri

Ushtruesja e detyrës së kryetares së Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku, ka bërë të ditur se partia do të organizojë zgjedhje të rregullta të brendshme, duke përjashtuar mundësinë e mbajtjes së një kuvendi të jashtëzakonshëm. Gjatë një konference për media, Çitaku ka shpjeguar se procesi do të zhvillohet në disa etapa, duke filluar nga…

Lajme

17/11/2026 17:12

Ushtruesja e detyrës së kryetares së Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku, ka bërë të ditur se partia do të organizojë zgjedhje të rregullta të brendshme, duke përjashtuar mundësinë e mbajtjes së një kuvendi të jashtëzakonshëm.

Gjatë një konference për media, Çitaku ka shpjeguar se procesi do të zhvillohet në disa etapa, duke filluar nga nëndegët, për të vazhduar me degët dhe zgjedhjen e delegatëve që do të përfaqësojnë strukturat partiake në konventën përfundimtare.

Në këtë konventë pritet të zgjidhet Këshilli Drejtues, si dhe kryetari apo kryetarja e re e PDK-së.

Çitaku ka bërë të ditur se aktualisht partia është duke përfunduar përgatitjen e rregullave normative, të cilat do të përcaktojnë mënyrën dhe kriteret e zhvillimit të garës zgjedhore në të gjitha nivelet e organizimit.

Ajo ka paralajmëruar se shpallja e zgjedhjeve pritet të bëhet së shpejti, ndërsa ka theksuar se prioritet i partisë në këtë periudhë është edhe miratimi i ligjit dhe një varg vendimesh që lidhen me grupin strategjik të themeluar nga Kryesia.

Sipas Çitakut, ky proces përbën një mundësi për demokratizimin dhe riorganizimin e partisë, pasi PDK-ja nuk ka zhvilluar zgjedhje të brendshme në të gjitha nivelet që nga viti 2019.

Ajo ka theksuar se zgjedhjet nuk duhet të shihen vetëm si proces për zgjedhjen e udhëheqësit të ri, por edhe si një mundësi për të diskutuar drejtimin politik dhe vizionin e partisë për vitet e ardhshme.

Çitaku ka vlerësuar se PDK-ja duhet të shfrytëzojë këtë proces për të rishikuar organizimin dhe orientimin e saj politik, fillimisht në rolin e opozitës dhe më pas me synimin për të marrë drejtimin e institucioneve të Kosovës.