Çitaku pas dënimit të Thaçit: Vendim i turpshëm dhe i papranueshëm, PDK-ja do të përgjigjet me veprime konkrete

Ushtruesja e detyrës së kryetares së Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Vlora Çitaku, ka reaguar ashpër pas vendimit të Gjykatës Speciale në Hagë ndaj ish-presidentit Hashim Thaçi dhe të tjerëve në rastin për pengim të drejtësisë. Në një konferencë për media, Çitaku e ka cilësuar vendimin si të papranueshëm, duke shprehur shqetësimin e PDK-së për…

Lajme

17/11/2026 16:16

Ushtruesja e detyrës së kryetares së Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Vlora Çitaku, ka reaguar ashpër pas vendimit të Gjykatës Speciale në Hagë ndaj ish-presidentit Hashim Thaçi dhe të tjerëve në rastin për pengim të drejtësisë.

Në një konferencë për media, Çitaku e ka cilësuar vendimin si të papranueshëm, duke shprehur shqetësimin e PDK-së për mënyrën se si po administrohet drejtësia në këtë gjykatë, transmeton lajmi.net.

“Vendim i turpshëm dhe i papranueshëm. Nuk ka asgjë më shkatërruese për drejtësinë sesa kur vendimet e saj pushojnë së befasuari, sepse besimi në paanshmërinë e saj është cenuar thellë. Shprehim zhgënjimin dhe shqetësimin tonë të thellë për vendimin e sotëm të Gjykatës Speciale në Hagë ndaj Presidentit Hashim Thaçi dhe të tjerëve në procesin për pengimin e drejtësisë”, deklaroi Çitaku.

Ajo tha se, sipas PDK-së, kontestimet procedurale, proceset e njëpasnjëshme dhe zvarritjet shumëvjeçare kanë shtuar pikëpyetjet për administrimin e drejtësisë nga Gjykata Speciale.

“Kontestimet procedurale, proceset e njëpasnjëshme dhe zvarritjet shumëvjeçare i kanë anuluar edhe më tej pikëpyetjet tona serioze për administrimin e drejtësisë së kësaj gjykate. Drejtësia nuk mund të ketë dy standarde”, potencoi ajo.

Në fund, Çitaku bëri të ditur se PDK-ja do t’i përgjigjet këtij vendimi përmes mobilizimit dhe veprimeve politike, juridike e diplomatike.

“Do t’i përgjigjemi ashtu siç e meriton, me qëndresë, me mobilizim dhe me përkushtim të palëkundur, me veprime konkrete politike, juridike e diplomatike dhe me vendosmëri deri në fund. Lufta jonë për liri ishte e drejtë, UÇK-ja ishte ushtria jonë çlirimtare, sakrifica e një populli për çlirim është pjesë e pandryshueshme e historisë sonë dhe nuk mund të njolloset asnjëherë”, përfundoi Çitaku./lajmi,.net/