Dy të rinj nga Rahoveci në mesin e tre viktimave të aksidentit të rëndë në Gjermani
Një aksident i rëndë trafiku ka ndodhur të dielën pasdite në Gjermani, ku kanë humbur jetën tre persona. Sipas informacioneve të bëra publike, dy nga viktimat janë të rinj nga Kosova, përkatësisht nga Komuna e Rahovecit, Leart Morina dhe Berhan Zeka. Aksidenti ka ndodhur në autostradën B311, në afërsi të qytetit Erbach, në distriktin Alb-Donau,…
Lajme
Një aksident i rëndë trafiku ka ndodhur të dielën pasdite në Gjermani, ku kanë humbur jetën tre persona.
Sipas informacioneve të bëra publike, dy nga viktimat janë të rinj nga Kosova, përkatësisht nga Komuna e Rahovecit, Leart Morina dhe Berhan Zeka.
Aksidenti ka ndodhur në autostradën B311, në afërsi të qytetit Erbach, në distriktin Alb-Donau, ku janë përfshirë gjithsej nëntë automjete.
Sipas njoftimit të policisë gjermane, në aksident kanë vdekur një shofer 18-vjeçar dhe një shofer 19-vjeçar. Ndërkaq, një pasagjer 26-vjeçar, i cili kishte pësuar lëndime të rënda, ka ndërruar jetë të dielën në mbrëmje, pasi ishte dërguar në spital.
Një pasagjere tjetër 26-vjeçare ka mbetur e lënduar, por gjendja e saj shëndetësore nuk është bërë e ditur.
Policia ka njoftuar gjithashtu se dy persona të tjerë kanë pësuar lëndime të lehta.
Sipas hetimeve fillestare, dyshohet se shoferi 18-vjeçar ka humbur kontrollin e automjetit derisa po kryente një parakalim me shpejtësi të lartë, në segmentin rrugor ndërmjet Dellmensingen dhe Donaurieden.
Automjeti i tij fillimisht është përplasur me disa vetura të tjera, për t’u përplasur më pas ballë për ballë me një makinë që po qarkullonte në drejtim të kundërt.
Pamjet nga vendi i ngjarjes kanë treguar përmasat e rënda të aksidentit, ku njëra prej veturave është shkatërruar pothuajse tërësisht. Në vendin e ngjarjes kanë intervenuar ekipe të shumta emergjente, ndërsa është angazhuar edhe një ekspert për të përcaktuar shkakun e saktë dhe rrjedhën e aksidentit.
Policia ka bërë të ditur se hetimet janë duke vazhduar dhe se dëshmitarët po merren në pyetje. Rruga B311, në segmentin ndërmjet Dellmensingen dhe Donaurieden, ishte mbyllur për qarkullim të hënën për shkak të pastrimit të vendit të aksidentit.
Ndërkohë, autoritetet gjermane po vazhdojnë hetimet për të sqaruar plotësisht rrethanat e tragjedisë.
