Ministrja Rizvanolli s’e mohon se serbët në Veri e paguajnë më lirë energjinë elektrike
Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, nuk e ka mohuar se serbët në Veri të Kosovës paguajnë më lirë rrymën se qytetarët e tjerë të Kosovës. Në një konferencë për media pas mbledhjes së Qeverisë, Rizvanolli theksoi se Zyra e Rregullatorit të Energjisë (ZRRE) duhet ta monitorojë tregun. Duke u përgjigjur në pyetjet e gazetarëve, ajo…
Lajme
Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, nuk e ka mohuar se serbët në Veri të Kosovës paguajnë më lirë rrymën se qytetarët e tjerë të Kosovës.
Në një konferencë për media pas mbledhjes së Qeverisë, Rizvanolli theksoi se Zyra e Rregullatorit të Energjisë (ZRRE) duhet ta monitorojë tregun. Duke u përgjigjur në pyetjet e gazetarëve, ajo tha se kjo çështje nuk argumentohet ose dëshmohet, por janë tarifat e faturat.
“Kjo nuk është çështje që argumentohet ose dëshmohet. Këto janë, tarifat janë tarifa, faturat janë fatura. Këto shikohen, krahasohen dhe bëhet përllogaritja. Çka është me rëndësi për ne si institucione është që tregu të ketë mbikëqyrje, tregu të ketë monitorim dhe për këtë Zyra e Rregullatorit për Energji, duhet të monitorojë tregun, siç e ka në mandat dhe duhet të shoh, të hetojë pse ekzistojnë këto dallime në çmime”, tha Rizvanolli kur u pyet se a po e paguajnë serbët në veri rrymën për 22 për qind më lirë.
“Arseja pse është e çuditshme të ketë një dallim në çmim është se në pjesën të vendit, furnizuesi i shërbimit publik e blen shumicën dërrmuese të energjisë së KEK-ut me një çmim shumë nën treg, që është 30 euro për megavtëorë”, shtoi ajo.
Ministrja theksoi se “kjo është një çështje që jam e bindur që ZRRE-ja do ta trajtoj me seriozitet”.
“Mirëpo pa dashur t’i neglizhojë ndërhyrjet eventuale dhe mungesën e konkurrencës dhe çfarëdo që është duke ndodhur aty, më duhet ta potencoj tani jemi në vitin 2026 dhe po flasim për dallimet në tarifa, përderisa deri më 1 janar 2024, ne kemi paguar si qytetarët të Kosovës, pjesa tjetër e vendit, kemi paguar 348 milionë euro për konsumatorët në Veri. Sot përderisa po flasim, KEDS atje ka vendosur 21 mijë e 500 matës”, potencoi ajo.