Hoti krahason qeverisjen e LDK-së me atë të VV-së: Rritja ekonomike më e ulët dhe inflacioni më i lartë gjatë qeverisjes Kurti

Deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti, ka kritikuar politikat ekonomike të Qeverisë Kurti, duke krahasuar treguesit e rritjes ekonomike dhe inflacionit gjatë qeverisjes së LDK-së dhe asaj të Vetëvendosjes. Përmes një tabele të publikuar, Hoti ka paraqitur të dhënat për periudhën 2014–2017, gjatë qeverisjes së Isa Mustafës, dhe periudhën 2022–2026, gjatë qeverisjes së Albin Kurtit. Sipas…

Lajme

16/11/2026 13:02

Deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti, ka kritikuar politikat ekonomike të Qeverisë Kurti, duke krahasuar treguesit e rritjes ekonomike dhe inflacionit gjatë qeverisjes së LDK-së dhe asaj të Vetëvendosjes.

Përmes një tabele të publikuar, Hoti ka paraqitur të dhënat për periudhën 2014–2017, gjatë qeverisjes së Isa Mustafës, dhe periudhën 2022–2026, gjatë qeverisjes së Albin Kurtit.

Sipas shifrave të prezantuara nga Hoti, mesatarja e rritjes ekonomike gjatë periudhës së qeverisjes së Mustafës ishte 4.92 për qind, ndërsa gjatë qeverisjes së Kurtit 4.02 për qind. Në anën tjetër, inflacioni mesatar ishte 0.43 për qind në periudhën e parë, krahasuar me 5.70 për qind në periudhën e dytë.

Hoti ka theksuar se, pavarësisht dallimeve në zhvillimet ekonomike globale mes dy periudhave, Qeveria Kurti nuk ka ndërmarrë, sipas tij, politika të mjaftueshme fiskale dhe makroekonomike për të zbutur inflacionin dhe për të nxitur rritjen ekonomike.

Ai ka kritikuar gjithashtu fokusin e Qeverisë në skemat sociale dhe subvencionet, duke vlerësuar se mosrealizimi i projekteve kapitale ka pamundësuar injektimin e qindra miliona eurove në ekonomi.

Sipas Hotit, ndryshe nga disa vende të Bashkimit Evropian, Kosova nuk ka ndërmarrë masa të përkohshme për uljen e barrës tatimore në derivate, energji dhe mallra të tjera për të përballuar rritjen e çmimeve.

Ai ka paralajmëruar se shtrenjtimi i konsumit familjar ka ndikuar edhe në strukturën e shpenzimeve të familjeve, duke bërë që një pjesë më e madhe e të ardhurave të orientohen drejt ushqimeve, në dëm të shpenzimeve të tjera që ndikojnë në cilësinë e jetës dhe zhvillimin e fëmijëve. /Lajmi.net/

Postimi i plotë: