Bajrami pas interpretimit të këngës nacionaliste serbe kundër Kosovës në Bruksel: Presim sqarim të menjëhershëm nga KE-ja dhe komisionerja Kos
Kryenegociatori i Kosovës për dialogun me Serbinë, Agron Bajrami, ka thënë se interpretimi i muzikës së këngës nacionaliste serbe kundër Kosovës në një aktivitet zyrtar të Komisionit Evropian është e papranueshme. Bajrami në një postim në “X” ka thënë se pret sqarim nga Komisioni Evropian dhe komisionerja për zgjerim Marta Kos lidhur me mënyrën se…
Lajme
Kryenegociatori i Kosovës për dialogun me Serbinë, Agron Bajrami, ka thënë se interpretimi i muzikës së këngës nacionaliste serbe kundër Kosovës në një aktivitet zyrtar të Komisionit Evropian është e papranueshme.
Bajrami në një postim në “X” ka thënë se pret sqarim nga Komisioni Evropian dhe komisionerja për zgjerim Marta Kos lidhur me mënyrën se si u përzgjodh dhe u miratua ky repertor.
“Në koncertin e hapjes së Forumit të Zgjerimit të BE-së në Bruksel, të organizuar nga Komisioni Evropian nën drejtimin e komisioneres Marta Kos, u interpretua kënga nacionaliste serbe “Oj Kosovo, Kosovo”. Ky nuk është shkëmbim kulturor. Kënga promovon pretendime të qarta politike mbi territorin e Republikës së Kosovës. Përfshirja e saj në një aktivitet zyrtar të Komisionit Evropian, kushtuar zgjerimit, unitetit dhe marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë, është e papranueshme. Republika e Kosovës pret një sqarim të menjëhershëm nga Komisioni Evropian dhe komisionerja Kos lidhur me mënyrën se si u përzgjodh dhe u miratua ky repertor. Vlerat evropiane, marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë dhe besueshmëria e procesit të zgjerimit të BE-së nuk mund të pajtohen me dhënien e një platforme pretendimeve irredentiste kundër një vendi që synon anëtarësimin në Bashkimin Evropian”, ka shkruar Bajrami në platformën “X”.
Muzika e këngës nacionaliste serbe kundër Kosovës është interpretuar në Bruksel, në prag të Forumit të Zgjerimit të Bashkimit Evropian, që organizohet nga Komisioni Evropian nën udhëheqjen e komisioneres për zgjerim Marta Kos.
Edicioni i dytë i këtij Forumi ka nisur sot dhe mbaron të hënën. Kosova nuk është e ftuar në këtë Forum.
Një ditë para ngjarjes kryesore, në kuadër të mbrëmjes hapëse, është interpretuar ndër të tjera edhe muzika e këngës nacionaliste serbe “Oj Kosovo, Kosovo”.