Ish-ministri Astrit Haraqija në mesin e të ndaluarve në aksionin e madh policor

Ish-ministri i Kosovës, Astrit Haraqija, është në mesin e personave të ndaluar në operacionin policor të koduar “Heshtja”, i cili u realizua më 14.11.2026 në rajonin e Prishtinës. Burime të KALLXO-s brenda Policisë së Kosovës kanë konfirmuar se Haraqija është njëri nga personat e ndaluar në këtë operacion antidrogë. Roli i ish-ministrit në rastin që…

Lajme

15/11/2026 14:31

Ish-ministri i Kosovës, Astrit Haraqija, është në mesin e personave të ndaluar në operacionin policor të koduar “Heshtja”, i cili u realizua më 14.11.2026 në rajonin e Prishtinës.

Burime të KALLXO-s brenda Policisë së Kosovës kanë konfirmuar se Haraqija është njëri nga personat e ndaluar në këtë operacion antidrogë.

Roli i ish-ministrit në rastin që po hetohet ende nuk është i qartë. Sipas burimeve të KALLXO-s, bëhet fjalë për një rast që lidhet me shitjen e sasive të vogla të kokainës në Prishtinë.

Avokati i Astrit Haraqisë, Korab Bokshi, e ka konfirmuar arrestimin e klientit të tij, duke thënë se ai është intervistuar nga Policia dhe se ndaj tij është caktuar masa e ndalimit prej 48 orësh.

“Është e vërtetë që Astritin e kanë arrestuar mbrëmë. E kanë intervistuar, për efekt të hetimit nuk do të hyja në detaje, por e kanë ndërlidhur me disa vepra kinse ka të bëjë me kontrabandim të narkotikëve. E kanë pyetur për disa persona, kinse ky si figurë publike i njeh, disa nuk i njeh.” – ka deklaruar Bokshi.

Avokati ka bërë të ditur se Policia ka bastisur edhe banesën e Haraqisë, por sipas tij, gjatë kontrollit nuk është gjetur asgjë që do ta inkriminonte atë për veprën penale për të cilën dyshohet.

“E kanë bastisur banesën e tij, kanë bërë kontrolle, por nuk kanë gjetur asgjë inkriminuese për këtë vepër penale. I kanë caktuar masën e ndalimit për 48 orë, unë kam bërë ankesë te gjyqtari, tash po presim.”- ka thënë avokati.

Bokshi ka mohuar se klienti i tij ka lidhje me veprën penale për të cilën dyshohet nga Prokuroria.

“Sipas komunikimeve të drejtpërdrejta me Astritin, nuk ka lidhje me veprën penale për çka pretendon prokurori.” – ka deklaruar ai.

Operacioni “Heshtja” u realizua nga Drejtoria për Hetimin e Trafikimit me Narkotikë, në bashkëpunim me Agjencinë e Kosovës për Inteligjencë (AKI), pas një hetimi të gjatë.

Policia e Kosovës njoftoi se gjatë këtij operacioni janë arrestuar gjashtë persona të dyshuar, ndërsa një person tjetër është liruar në procedurë të rregullt.

Gjatë bastisjeve janë sekuestruar rreth 1.6 kilogramë kokainë, sasi të tjera të substancave të dyshuara narkotike, rreth 16 mijë euro para të gatshme, gjashtë vetura, ora luksoze, stoli të çmuara, një armë zjarri dhe pajisje të tjera.

Sipas Policisë, vlera e përgjithshme e substancave narkotike dhe aseteve të sekuestruara vlerësohet në rreth 301 mijë euro.