Pse mungojnë barnat dhe ngecin projektet edhe kur buxheti është ndarë?

Edhe kur paratë janë ndarë, pacientët në spitalet publike të Kosovës mund të detyrohen t’i blejnë vetë barnat nga Lista Esenciale, ndërsa projektet publike mund të zvarriten me vite. Në të dyja rastet, pengesat mund të lindin gjatë prokurimit publik, procesit përmes të cilit institucionet blejnë barna dhe lidhin kontrata me kompanitë për zbatimin e…

Lajme

14/11/2026 19:36

Edhe kur paratë janë ndarë, pacientët në spitalet publike të Kosovës mund të detyrohen t’i blejnë vetë barnat nga Lista Esenciale, ndërsa projektet publike mund të zvarriten me vite.

Në të dyja rastet, pengesat mund të lindin gjatë prokurimit publik, procesit përmes të cilit institucionet blejnë barna dhe lidhin kontrata me kompanitë për zbatimin e projekteve.

Në podkastin 5 pyetje të Radios Evropa e Lirë, Ardit Dragusha, ekspert i prokurimit publik nga organizata Democracy Plus, shpjegon se problemet mund të shfaqen në çdo fazë të procesit, nga planifikimi dhe hapja e tenderëve deri te zbatimi i kontratave.

“Mbi 23% të kontratave në vitin 2025 kanë dështuar në fazën e tenderimit. Pra, afërsisht një në katër kontrata e cila iniciohet dështon dhe pastaj duhet të nis përsëri”, thotë Dragusha.

Sipas tij, një nga dobësitë më të mëdha shfaqet pas nënshkrimit të kontratës, kur përgjegjësia për mbikëqyrjen e zbatimit të saj kalon te menaxherët e kontratave.

“Problemi më i madh është puna, realizimi. Kjo vjen si pasojë fillimisht e menaxhimit jo adekuat pasi të nënshkruhet një kontratë publike”, thotë ai.

Dragusha shpjegon se menaxhimi i kontratave zakonisht është detyrë shtesë për zyrtarët publikë, të cilët shpesh mbikëqyrin disa kontrata njëkohësisht. Sipas tij, krahas menaxherëve të kontratave, edhe drejtuesit administrativë dhe politikë të institucioneve duhet të mbikëqyrin zbatimin e kontratave dhe shpenzimin e parave publike.

Pse pacientët i blejnë vetë barnat?
Pasojat e problemeve në prokurim ndihen edhe në spitalet publike, ku pacientët vazhdojnë të përballen me mungesë të barnave nga lista esenciale, edhe kur institucionet kanë ndarë buxhet për furnizim.

Sipas Dragushës, institucionet shpesh planifikojnë të blejnë më pak barna nga lista esenciale sesa u duhen pacientëve dhe i nisin me vonesë procedurat e prokurimit.

“Planifikohen më pak sesa që ka nevojë”, thotë ai, duke shtuar se institucionet duhet t’i nisin procedurat për furnizimin e radhës para se të mbarojë stoku ekzistues.

Kur furnizimi vonohet, pacientët detyrohen t’i blejnë vetë barnat që shteti është zotuar t’ua sigurojë pa pagesë.

“Në momentin e inicimit të procedurave në momentin e fundit, atëherë kemi vonesa dhe kjo reflektohet që qytetarët çdo vit detyrohen të paguajnë barna nga xhepi i tyre”, thotë Dragusha.

Sipas tij, kur tenderi dështon ose furnizimi vonohet, pacientët nuk kanë një mekanizëm për të kërkuar rimbursimin e shpenzimeve për barnat që kanë blerë vetë.

Si mund të favorizohet një kompani që në tender?

Një tjetër problem që Dragusha identifikon në prokurimin publik është rreziku i korrupsionit dhe i favorizimit të kompanive përmes specifikimeve teknike në dosjet e tenderëve.

Ai thotë se ka raste kur institucionet publike vendosin në tender kërkesa aq specifike për kryerjen e punëve, saqë vetëm një kompani i plotëson.

Ai përmend tenderin prej 18 milionë eurosh për ndërtimin e bulevardit në Gjilan. Një nga kërkesat ishte që kompania fituese të kishte një inxhinier të hidroteknikës me diplomë bachelor, të certifikuar nga Agjencia për Menaxhimin e Emergjencave për mbrojtje nga zjarri dhe me së paku tetë vjet përvojë në atë fushë.

Sipas Dragushës, kur kërkesa të tilla nuk janë në përpjesëtim me natyrën e punës, ato ngrenë dyshime për favorizim.

“Specifikimet teknike të cilat bëhen në mënyrë jo të drejtë paraqesin rrezikun e korrupsionit, por edhe favorizime të ndryshme”, thotë ai.

Ankesat në prokurim bllokojnë miliona euro investime

Procedurat e prokurimit mund të ngecin edhe te Organi Shqyrtues i Prokurimit (OSHP), i njohur si “gjykata e tenderëve”. Gjatë shqyrtimit të një ankese, procedura pezullohet, duke shtyrë nënshkrimin e kontratës dhe realizimin e projektit.

Dragusha kujton se gjatë viteve 2021 dhe 2022, OSHP-ja mbeti jofunksionale për gati dy vjet për shkak të mungesës së bordit. Sipas tij, gjatë asaj periudhe mbetën të bllokuara investime me vlerë mbi 200 milionë euro, pasi ankesat nuk mund të shqyrtoheshin.

Edhe funksionimi i mëvonshëm i këtij institucioni është përcjellë me vështirësi. Sipas Dragushës, OSHP-ja pranon mbi një mijë ankesa në vit dhe arrin të shqyrtojë më pak se 15% të tyre brenda afatit ligjor.

“Shqyrtimi i një ankese në vitin 2025 ka qenë mesatarisht 50 ditë, ndërsa në vitin 2024 ka qenë 55 ditë”, thotë ai.