lajmi.net

Apeli lë në fuqi aktakuzën ndaj ish-ministres Rozeta Hajdari dhe të tjerëve në rastin e rezervave shtetërore

Gjykata e Apelit e Kosovës ka refuzuar ankesat e mbrojtësve të Rozeta Hajdarit, Irfan Lipovicës, Hafiz Garës dhe Ridvan Muharremit, duke lënë në fuqi aktvendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë për refuzimin e kërkesave për kundërshtimin e provave dhe hedhjen e aktakuzës në rastin e “Rezervave shtetërore”. Në njoftimin e 13 nëntorit 2026, Apeli ka…

Lajme

13/11/2026 15:10

Gjykata e Apelit e Kosovës ka refuzuar ankesat e mbrojtësve të Rozeta Hajdarit, Irfan Lipovicës, Hafiz Garës dhe Ridvan Muharremit, duke lënë në fuqi aktvendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë për refuzimin e kërkesave për kundërshtimin e provave dhe hedhjen e aktakuzës në rastin e “Rezervave shtetërore”.

Në njoftimin e 13 nëntorit 2026, Apeli ka bërë të ditur se pas shqyrtimit të shkresave dhe pretendimeve të palëve, ka vlerësuar se aktvendimi i shkallës së parë është nxjerrë në pajtim me dispozitat e procedurës penale dhe mbështetet në provat dhe dëshmitë që përmban çështja penale.

Gjykata Themelore në Prishtinë, më 13 mars 2026, kishte refuzuar si të pabazuara kërkesat e mbrojtjes për kundërshtimin e provave dhe hedhjen e aktakuzës, të ngritur më 11 nëntor 2025 nga Prokuroria Speciale.

Mbrojtësit kishin pretenduar, ndër të tjera, se dosja e rastit ishte e klasifikuar si “Sekret shtetëror”, se nuk kishin pasur qasje të plotë në shkresat e lëndës dhe se provat ishin siguruar në kundërshtim me ligjin. Ata kishin kontestuar edhe afatin e hetimeve dhe kishin kërkuar përjashtimin e provave dhe hedhjen e aktakuzës.

Në anën tjetër, Prokuroria kishte argumentuar se veprimet e secilit të pandehur ishin individualizuar në aktakuzë dhe se klasifikimi i procedurës ishte bërë në kundërshtim me ligjin. Sipas saj, nuk kishte bazë për përjashtimin e provave apo hedhjen e aktakuzës.

Themelorja kishte vlerësuar se aktakuza mbështetet në prova të mjaftueshme për të vazhduar procedimi penal dhe se ajo ishte ngritur brenda afatit të zgjatur të hetimeve, i cili ishte caktuar deri më 17 gusht 2026.

Me vendimin e Apelit, çështja penale do të vazhdojë në fazën e shqyrtimit gjyqësor.

Ndryshe, ish-ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, ish-zëvendëssekretari i kësaj ministrie, Irfan Lipovica, dhe ish-drejtori i Departamentit të Rezervave Shtetërore, Hafiz Gara, akuzohen për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar dhe zbulim të fshehtësisë zyrtare. Ndërsa, afaristi Ridvan Muharremi akuzohet për ndihmë në kryerjen e veprës penale të keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar.

Ndryshe, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK) më 11 nëntor 2025 ka ngritur aktakuzë ndaj ministres në detyrë të Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, si dhe ndaj Irfan Lipovicës, Hafiz Garës e Ridvan Muharremit lidhur me rastin e njohur si “Rezervat shtetërore”.

Ministrja Hajdari, ish-zëvendëssekretari i MINT, Irfan Lipovica, si dhe drejtori i Departamentit të Rezervave Shtetërore në MINT, Hafiz Gara, akuzohen për kryerjen e veprave penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar” dhe për “Zbulim të fshehtësisë zyrtare”. Ndërsa, afaristin Ridvan Muharremi i njohur si “Ridi”, PSRK-ja po e akuzon për kryerjen e veprës penale “Ndihmë në kryerjen e veprës penale të keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar”.

Aktakuza e ngritur nga prokurorët specialë, Valdet Gashi dhe Milot Krasniqi, në Departamentin Special të Gjykatës Themelore në Prishtinë. Sipas aktakuzës së ngritur, buxheti është dëmtuar në lartësi prej 2,912,134.78 euro.

Bazuar në aktakuzën e PSRK-së, të pandehurit Rozeta Hajdari në cilësinë e ministres së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Irfan Lipovica si zëvendëssekretar dhe Hafiz Gara në pozitën e Drejtorit të Departamentit të Rezervave Shtetërore, në kundërshtim me Ligjin për Prokurim Publik, duke iu shmangur procesit të konkurrencës, me procedurë të negocimit kishin negociuar dhe më pas nënshkruar kontratën me kompaninë turke “Yafe Turizm Indaat Sanayi ve Ticaret Anonim Sirketi” me seli në Bursa të Turqisë, për blerjen e 10 mijë tonë grurë me çmim prej 4,834,778.00 euro. Aty thuhet se çmimi për blerje të grurit ishte kontraktuar 193.48 euro më i lartë sesa çmimi mesatar i tregut.

Në aktakuzë më tej thuhet se të pandehurit Hajdari, Lipovica dhe Gara kanë negociuar dhe nënshkruar kontratë edhe me kompaninë “Xanto SP. ZO. O” me seli në Gdynia të Polonisë për blerjen e 200 mijë litra vaj dhe 120 mijë kilogramë sheqer. Mirëpo, përkundër pagesës së kryer, malli nuk ishte pranuar asnjëherë.

Hajdari, Lipovica, Gara ngarkohen se zbuluan fshehtësinë zyrtare duke ia vënë në dispozicion Muharremit informatën për vendndodhjen e deponimit të grurit si mall i rezervës shtetërore.

Po ashtu, “Betimi për Drejtësi” raportoi edhe për atë se cili ishte roli i Hajdarit, Lipovicës, Garës e Muharremit, sipas aktakuzës së PSRK-së në procesin e blerjes së “Rezervave shtetërore”.

Gjithashtu, për të gjitha detajet e atakuzës së këtij rasti, publiku kishte rastin të mësojë në emisionin “Betimi për Drejtësi” me titull “Akuzat speciale për rezervat shtetërore“, i transmetuar më 15 nëntor 2025.