Sala Jashari kritikon ministrin Vitia për mungesën e barnave onkologjike: Problemet po përsëriten prej vitit 2021

Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Sala Jashari, ka kritikuar ministrin e Shëndetësisë, Arben Vitia, për mungesën e barnave esenciale dhe atyre që përdoren në trajtimin e pacientëve me kancer. Gjatë interpelancës së sotme në Kuvend, e thirrur lidhur me vdekjen e një pacienteje me kancer, e cila kishte mbetur për katër muaj pa…

Lajme

13/11/2026 12:11

Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Sala Jashari, ka kritikuar ministrin e Shëndetësisë, Arben Vitia, për mungesën e barnave esenciale dhe atyre që përdoren në trajtimin e pacientëve me kancer.

Gjatë interpelancës së sotme në Kuvend, e thirrur lidhur me vdekjen e një pacienteje me kancer, e cila kishte mbetur për katër muaj pa terapinë e nevojshme, Jashari tha se problemet në sektorin e shëndetësisë po përsëriten vit pas viti, transmeton lajmi.net.

Ajo theksoi se interpelanca ishte iniciuar pas ankesave të shumta të qytetarëve për mungesën e barnave, veçanërisht atyre onkologjike.

Jashari kërkoi që sigurimi i barnave dhe përmirësimi i kushteve në shëndetësi të trajtohen si prioritete reale buxhetore, e jo të mbeten vetëm premtime.

Deputetja e PDK-së tha se asnjë pacient me kancer nuk duhet të përballet me pasigurinë nëse do ta ketë terapinë e nevojshme, ndërsa familjet nuk duhet të detyrohen të hyjnë në borxhe apo të shesin pasurinë për të siguruar barna që duhet t’i ofrojë shteti.

Duke iu drejtuar ministrit Vitia, Jashari përmendi rastin e pacientes që kishte pritur katër muaj për terapinë e saj.

“Për ju mundet me qenë vetëm një tender që është vonu, por për atë grua ishin katër muaj pritje të një bari, ndërsa sëmundja nuk pret”, deklaroi ajo.

Jashari shtoi se mungesa e barnave esenciale nuk është problem i ri, por një situatë që, sipas saj, po vazhdon që nga viti 2021.

“Prej vitit 2021 ju keni mungesë të barnave esenciale, dhe problemet po ju vazhdojnë vit pas viti”, tha deputetja në Kuvend./lajmi.net/