​Nga një muaj paraburgim pesë shtetasve turq, dyshohen se në Prizren therën me thikë dhe mbajtën peng një person

Gjykata Themelore në Prizren ua ka caktuar nga një muaj paraburgim pesë shtetasve të Turqisë, të dyshuar për lëndim të lehtë trupor, shtrëngim dhe privim të kundërligjshëm të lirisë. Në njoftim të Gjykatës thuhet se M.D., M.D.G., S.K., R.O. dhe M.P. dyshohet se më 1 nëntor 2026, rreth orës 7:20, në Prizren, kanë sulmuar fizikisht…

Lajme

12/11/2026 15:52

Gjykata Themelore në Prizren ua ka caktuar nga një muaj paraburgim pesë shtetasve të Turqisë, të dyshuar për lëndim të lehtë trupor, shtrëngim dhe privim të kundërligjshëm të lirisë.

Në njoftim të Gjykatës thuhet se M.D., M.D.G., S.K., R.O. dhe M.P. dyshohet se më 1 nëntor 2026, rreth orës 7:20, në Prizren, kanë sulmuar fizikisht një person me inicialet S.B.

Fillimisht, ata dyshohet se ia kanë bllokuar rrugën viktimës me një furgon, e kanë ndjekur dhe më pas e kanë goditur me grushte e shqelma. Sipas dyshimeve, ndaj tij janë përdorur edhe thika, duke i shkaktuar nëntë plagë shpuese-prerëse. I dëmtuari ka marrë trajtim mjekësor në Spitalin Rajonal të Prizrenit.

Pas sulmit, pesë të dyshuarit dyshohet se e kanë futur me forcë viktimën në furgon, ia kanë vendosur një thes në kokë dhe e kanë dërguar në një shtëpi private në Prishtinë.

Aty, sipas Prokurorisë, e kanë mbajtur kundër vullnetit të tij për rreth dhjetë orë, duke e kërcënuar me thika dhe ushtruar dhunë e presion të vazhdueshëm.

Qëllimi i dyshuar ishte që ta detyronin të ndërpriste aktivitetin e tij punues në ndërtimin e objekteve të një kompanie në Prizren, t’i largonte punëtorët dhe të largohej nga Kosova.

Rreth orës 17:00 deri në 17:30, të njëjtën ditë, të dyshuarit dyshohet se e kanë kthyer viktimën në Prizren, përsëri me thes në kokë, dhe e kanë lënë në rrugë.

Gjykata ka bërë të ditur se paraburgimi është caktuar pas kërkesës së Prokurorisë së Shtetit, duke vlerësuar se ekziston rreziku i arratisjes së të dyshuarve, pasi ata janë shtetas të huaj dhe punojnë përkohësisht në Kosovë.

Po ashtu, gjykata ka vlerësuar se ekziston rreziku që të dyshuarit të ndikojnë te viktima dhe dëshmitarët eventualë, si dhe të pengojnë zhvillimin e hetimeve.