Avokati i Popullit ngre alarmin për ndotjen e ujërave në Kosovë: Sitnica, Graçanka e Drenica ndër lumenjtë më të ndotur

Avokati i Popullit ka publikuar Raportin për gjendjen e ujërave në Republikën e Kosovës, duke evidentuar probleme serioze në mbrojtjen, menaxhimin dhe shfrytëzimin e resurseve ujore, si dhe mungesë të zbatimit të legjislacionit dhe politikave përkatëse. Në këtë raport, institucioni i Avokatit të Popullit vlerëson se qasja në ujë të sigurt dhe sanitacion, si dhe…

Lajme

12/11/2026 10:55

Avokati i Popullit ka publikuar Raportin për gjendjen e ujërave në Republikën e Kosovës, duke evidentuar probleme serioze në mbrojtjen, menaxhimin dhe shfrytëzimin e resurseve ujore, si dhe mungesë të zbatimit të legjislacionit dhe politikave përkatëse.

Në këtë raport, institucioni i Avokatit të Popullit vlerëson se qasja në ujë të sigurt dhe sanitacion, si dhe e drejta për të jetuar në një mjedis të pastër e të shëndetshëm, vazhdojnë të sfidohen nga ndotja, degradimi i lumenjve dhe mungesa e veprimeve efektive institucionale.

Sipas të dhënave të Institutit Hidrometeorologjik të Kosovës, ndër lumenjtë më të ndotur në vend janë Graçanka në Vragoli, Sitnica përgjatë gjithë rrjedhës së saj, Nerodime në Gerlicë dhe Kaçanik, Drenica në Drenas dhe Vragoli, si dhe Limani i Klinës në Klinë.

Raporti identifikon si burime kryesore të ndotjes shkarkimet urbane të ujërave të patrajtuara, aktivitetet industriale, përdorimin e pesticideve dhe kimikateve në bujqësi, hedhjen e mbeturinave në shtretërit e lumenjve, si dhe degradimin e rrjedhave ujore.

Shqetësim i veçantë paraqet edhe eksploatimi i pakontrolluar i rërës dhe zhavorrit nga shtretërit e lumenjve, i cili ka shkaktuar degradim të konsiderueshëm të tyre, duke ndikuar negativisht në ekosistemet ujore dhe tokat përreth.

Një tjetër problem i theksuar në raport është mungesa e kapaciteteve institucionale për mbrojtjen e mjedisit. Në shumicën e komunave mungojnë zyrtarët dhe inspektorët mjedisorë, ndërsa shumica e tyre nuk kanë as plane lokale për mbrojtjen e mjedisit.

Avokati i Popullit evidenton gjithashtu mangësi në koordinimin ndërmjet institucioneve, mungesë të kapaciteteve profesionale dhe monitorim jo të mjaftueshëm të resurseve ujore. Probleme të ngjashme ka edhe Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës, i cili përballet me mungesë të stafit, nevojë për pajisje të reja laboratorike dhe zgjerim të rrjetit të monitorimit, veçanërisht për ujërat nëntokësore.

Raporti trajton edhe cilësinë e ujit të pijshëm në Kosovë. Sipas të dhënave të Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike, gjatë vitit 2024 janë analizuar gjithsej 11 mijë e 16 mostra të ujit, prej të cilave 98.7 për qind kanë qenë në përputhje me vlerat parametrike të përcaktuara.

Ndërkaq, gjatë periudhës janar-gusht 2025, nga 8 mijë e 435 mostra të analizuara, 98.2 për qind kanë rezultuar në përputhje me standardet përkatëse.

Megjithatë, një prej problemeve të evidentuara në cilësinë e ujit të pijshëm është prania e manganit në Liqenin e Badocit, ku gjatë vitit 2024 dhe 2025 janë regjistruar tejkalime të vlerave të përcaktuara.

Në raport është ngritur edhe çështja e rrezikut nga përmbytjet, ku theksohet nevoja për planifikim afatgjatë, investime në infrastrukturën ujore, mirëmbajtje sistematike të shtretërve të lumenjve dhe funksionalizim të mekanizmave për paralajmërim të hershëm.

Avokati i Popullit vlerëson se problemet në sektorin e ujërave nuk janë të reja, pasi të njëjtat janë evidentuar ndër vite edhe nga institucionet publike, organizatat ndërkombëtare, shoqëria civile dhe vetë ky institucion.

Sipas raportit, pavarësisht ekzistimit të legjislacionit dhe dokumenteve strategjike për mbrojtjen e resurseve ujore, zbatimi i masave ka avancuar me ritëm të pamjaftueshëm dhe shumë prej problemeve vazhdojnë të mbeten të pazgjidhura.

Në këtë drejtim, Avokati i Popullit thekson se institucionet nuk kanë më nevojë për analiza të tjera për të kuptuar ekzistimin e problemeve, por për veprime konkrete, urgjente dhe të koordinuara.

Raporti përmban edhe rekomandime për autoritetet përgjegjëse, me qëllim të përmirësimit të menaxhimit të ujërave, forcimit të mekanizmave të inspektimit dhe monitorimit, parandalimit të ndotjes dhe mbrojtjes së burimeve ujore në Kosovë. /Lajmi.net/