Prishtina angazhon 14 kamionë për pastrimin e qytetit, paralajmërohen edhe 10 të tjerë
Komuna e Prishtinës ka shtuar angazhimet për përmirësimin e menaxhimit të mbeturinave, duke ndërmarrë masa të reja në bashkëpunim me operatorë privatë dhe Programin e Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP). Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka bërë të ditur se si pjesë e kësaj ndërhyrjeje tashmë janë angazhuar 14 kamionë për pastrimin e qytetit,…
Lajme
Komuna e Prishtinës ka shtuar angazhimet për përmirësimin e menaxhimit të mbeturinave, duke ndërmarrë masa të reja në bashkëpunim me operatorë privatë dhe Programin e Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP).
Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka bërë të ditur se si pjesë e kësaj ndërhyrjeje tashmë janë angazhuar 14 kamionë për pastrimin e qytetit, ndërsa në ditët në vijim pritet që flotës t’i shtohen edhe 10 automjete të tjera. Me këtë kapacitet, sipas tij, synohet të rritet dukshëm efikasiteti i shërbimeve të pastrimit në kryeqytet.
Rama ka kritikuar njëkohësisht nivelin qendror për mosrealizimin e projektit që parasheh investime prej 72 milionë eurosh për furnizimin e rajonit me kamionë dhe kontejnerë për grumbullimin e mbeturinave.
Sipas tij, ky investim do të mundësonte blerjen e mbi 100 kamionëve dhe më shumë se 10 mijë kontejnerëve, duke ndikuar në zgjidhjen e problemeve me mbeturinat jo vetëm në Prishtinë, por edhe në komunat përreth.
Ai pretendon se procesi është penguar nga institucionet qendrore, duke theksuar se Komuna është detyruar të kërkojë alternativa për të përballuar gjendjen aktuale.
Kreu i Prishtinës ka thënë se, pavarësisht pengesave, Komuna do të vazhdojë angazhimet për përmirësimin e pastërtisë dhe se rezultatet e ndërhyrjes së re pritet të vërehen nga qytetarët në ditët në vijim.
Ndërkohë, drejtori i Shërbimeve Publike në Komunën e Prishtinës, Leotrim Retkoceri, e ka cilësuar të domosdoshëm përfshirjen e sektorit privat në këtë fazë, duke pasur parasysh vështirësitë me të cilat po përballet kryeqyteti në menaxhimin e mbeturinave.
Retkoceri ka deklaruar se situata aktuale do të ishte shmangur nëse do të ishte nënshkruar marrëveshja për garancionin e kredisë me bankën gjermane KfW, përmes së cilës parashihej sigurimi i 100 kamionëve dhe 10 mijë kontejnerëve.
Ai ka bërë të ditur se Komuna ka ndarë pesë milionë euro për bashkëpunimin me UNDP-në, por ka theksuar se ky financim përbën vetëm një ndërhyrje të përkohshme dhe nuk garanton zgjidhje të plotë e afatgjatë të problemit.
Drejtori i Shërbimeve Publike u ka bërë thirrje institucioneve qendrore, veçanërisht Ministrisë së Financave, që të ndërmarrin hapa për zhbllokimin e projektit me KfW-në.
Sipas tij, bashkëpunimi ndërmjet Komunës, kompanive private dhe operatorit të pastrimit synon të përmirësojë gjendjen në terren, ndërsa zgjidhja e qëndrueshme mbetet e lidhur me realizimin e investimeve të planifikuara për pajisjen e rajonit me infrastrukturën e nevojshme.