E njohura e tenderëve “MEDITECH” fiton edhe një tender nga Ministria e Shëndetësisë, në vlerë miliona euro
Ministria e Shëndetësisë ka nënshkruar kontratë në vlerë prej 5 milionë e 952 mijë e 501 eurosh për furnizim me insulina analoge. Sipas të dhënave në e-prokuim, furnizimi do të bëhet në kuadër të listës së barnave esenciale. Kompania fituese e kësaj kontrate tanimë të lidhur është “MEDITECH”. Për lotin 1, që përfshin furnizimin me…
Lajme
Ministria e Shëndetësisë ka nënshkruar kontratë në vlerë prej 5 milionë e 952 mijë e 501 eurosh për furnizim me insulina analoge.
Sipas të dhënave në e-prokuim, furnizimi do të bëhet në kuadër të listës së barnave esenciale.
Kompania fituese e kësaj kontrate tanimë të lidhur është “MEDITECH”.
Për lotin 1, që përfshin furnizimin me insulina analoge bifazike (premix), me veprim të shpejtë dhe të mesëm, është nënshkruar kontratë në vlerë prej 4 milionë e 791 mijë e 29.60 eurosh.
Ndërkaq, për lotin 2, që përfshin insulinat analoge me veprim të shpejtë, vlera e kontratës është 1 milion e 161 mijë e 472 euro.

Të dy kontratat janë nënshkruar më 10 nëntor, me të njëjtin operator ekonomik.
Sipas dokumentit të prokurimit, në këtë aktivitet ishin pranuar vetëm nga një tender për secilin lot dhe të dy tenderët ishin vlerësuar si të përgjegjshëm.
Kontrata është e natyrës kornizë publike, me kohëzgjatje prej 24-muajsh, ndërsa financimi do të bëhet nga buxheti i konsoliduar i Kosovës.
Furnizimi me insulinat e kontraktuara do të bëhet në depon e barnave të Ministrisë së Shëndetësisë.
Ndryshe vëllimi i tenderëve dhe kontratave: Sipas raporteve dhe platformave të monitorimit të prokurimit publik (si TenderIntel), “Meditech” ka fituar mbi 170 tenderë publikë ndër vite, me një vlerë totale të kontratave që ka kaluar shifrën e 89 milionë eurove (duke përfshirë mbi 150 kontrata me vlerë mbi 75 milionë euro vetëm në vitet e fundit).
Autoritetet kontraktuese kryesore: Kontratat më të mëdha janë lidhur me Ministrinë e Shëndetësisë dhe Shërbimin Spitalor Klinik dhe Universitar të Kosovës (SHSKUK) për furnizim me barna esenciale, vaksina dhe produkte të tjera mjekësore.
Në shtator të vitit 2026, SHSKUK nënshkroi një kontratë me “Meditech” me vlerë rreth 4 milionë euro për produktin pertuzumab+trastuzumab. Më parë janë raportuar edhe kontrata të tjera milionëshe për barna esenciale dhe furnizime spitalore (shpesh me vlerë disa milionë euro për llote të ndryshme./Lajmi.net/
