Të enjtën mbahet seanca e radhës e Kuvendit, ky është rendi i ditës

Kuvendi i Republikës së Kosovës do të mbajë nesër, të enjten, më 12 nëntor 2026, seancë plenare. Seanca do të fillojë në orën 10:00, në Sallën e Seancave. Në rendin e ditës janë paraparë dhjetë pika, përfshirë shqyrtimin e disa projektligjeve për ratifikimin e marrëveshjeve ndërmjet Kosovës dhe Suedisë, si dhe Kosovës dhe Belgjikës në…

Lajme

11/11/2026 22:43

Kuvendi i Republikës së Kosovës do të mbajë nesër, të enjten, më 12 nëntor 2026, seancë plenare. Seanca do të fillojë në orën 10:00, në Sallën e Seancave.

Në rendin e ditës janë paraparë dhjetë pika, përfshirë shqyrtimin e disa projektligjeve për ratifikimin e marrëveshjeve ndërmjet Kosovës dhe Suedisë, si dhe Kosovës dhe Belgjikës në fushën e bashkëpunimit juridik dhe çështjeve penale, transmeton lajmi.net.

Deputetët do të shqyrtojnë gjithashtu Propozim-Programin e Punës së Kuvendit për Sesionin Vjeshtor 2026.

Një nga pikat e rëndësishme të seancës do të jetë interpelanca me ministrin e Shëndetësisë, Arben Vitia, lidhur me vdekjen e pacientes me kancer të gjirit, e cila mbeti katër muaj pa terapi, si dhe mungesën e barnave onkologjike.

Po ashtu, në rendin e ditës është përfshirë edhe mocioni përmbajtjesor lidhur me gjendjen në planifikimin, çmimin dhe furnizimin me energji elektrike në Kosovë.

Seanca do të nisë me miratimin e procesverbalit nga seanca e kaluar, deklarimet jashtë rendit të ditës dhe pyetjet parlamentare.

Rendi i ditës i seancës plenare:

  1. Miratimi i procesverbalit nga seanca e mëparshme;
  2. Deklarimet jashtë rendit të ditës;
  3. Pyetjet parlamentare;
  4. Shqyrtimi i Projektligjit nr. 11/L-024 për ratifikimin e Marrëveshjes ndërmjet Kosovës dhe Suedisë për Ekstradim;
  5. Shqyrtimi i Projektligjit nr. 11/L-025 për ratifikimin e Marrëveshjes për Transferimin e Personave të Dënuar ndërmjet Kosovës dhe Suedisë;
  6. Shqyrtimi i Projektligjit nr. 11/L-026 për ratifikimin e Marrëveshjes për Ndihmën e Ndërsjellë Juridike në Çështjet Penale ndërmjet Kosovës dhe Suedisë;
  7. Shqyrtimi i Projektligjit nr. 11/L-027 për ratifikimin e Traktatit për Ndihmë të Ndërsjellë Juridike në Çështjet Penale ndërmjet Kosovës dhe Belgjikës;
  8. Propozim-Programi i Punës së Kuvendit për Sesionin Vjeshtor 2026;
  9. Interpelanca me ministrin e Shëndetësisë, Arben Vitia;
  10. Mocioni përmbajtjesor për gjendjen në planifikimin, çmimin dhe furnizimin me energji elektrike në Kosovë./lajmi.net/