Prostitucion, drogë e poligon qitjeje afër vendit ku trajtohen fëmijët me sindromën Down në Ferizaj – rrezikohet mbyllja e qendrës së organizatës
Qendra e Shërbimeve e organizatës Down Syndrome Kosova – Dega në Ferizaj po përballet me rrezikun e ndërprerjes së aktiviteteve dhe mbylljes, pas dëmeve të konsiderueshme të shkaktuara nga një incident në sistemin e kanalizimit të objektit ku zhvillohen shërbimet për fëmijët dhe të rriturit me sindromën Down. Përmes një reagimi publik, organizata ka bërë…
Lajme
Qendra e Shërbimeve e organizatës Down Syndrome Kosova – Dega në Ferizaj po përballet me rrezikun e ndërprerjes së aktiviteteve dhe mbylljes, pas dëmeve të konsiderueshme të shkaktuara nga një incident në sistemin e kanalizimit të objektit ku zhvillohen shërbimet për fëmijët dhe të rriturit me sindromën Down.
Përmes një reagimi publik, organizata ka bërë të ditur se incidenti ka ndodhur në katin e sipërm të ndërtesës, duke shkaktuar dëme në hapësirat ku zhvillohen aktivitetet e përditshme të qendrës, transmeton lajmi.net.
Sipas tyre, problemet me objektin dhe kushtet e papërshtatshme janë adresuar vazhdimisht te institucionet komunale për më shumë se tri vjet, por deri më tani nuk është gjetur një zgjidhje e qëndrueshme.
Përveç gjendjes së objektit, Down Syndrome Kosova ka ngritur shqetësime edhe për sigurinë në zonën përreth qendrës, në rrugën “Gursel e Bajram Sylejmani” në Ferizaj.
Në reagim përmenden dukuri si përdorimi i substancave narkotike, funksionimi i një poligoni të qitjes me armë në afërsi dhe veprimtari të prostitucionit, të cilat, sipas organizatës, e bëjnë këtë lokacion të papërshtatshëm për një hapësirë që frekuentohet nga fëmijë, të rinj, të rritur me sindromën Down dhe familjet e tyre.
Organizata bën të ditur se Komunës së Ferizajt i ka kërkuar vazhdimisht sigurimin e një objekti të ri, por deri më tani mbështetja e vetme konkrete ka qenë lehtësimi i 150 eurove nga pagesa e qirasë, masë që ka nisur të zbatohet në tetor të vitit 2026.
Dëmet e fundit, sipas organizatës, e kanë përkeqësuar edhe më shumë gjendjen dhe kanë vënë në pikëpyetje vazhdimësinë e shërbimeve për përfituesit e qendrës.
Në reagim thuhet se ekziston mundësia reale e ndërprerjes së aktiviteteve dhe mbylljes së qendrës, nëse nuk gjendet një zgjidhje urgjente për sigurimin e hapësirave adekuate.
Për këtë arsye, organizata u është drejtuar kryetarit të Komunës së Ferizajt dhe të gjithë anëtarëve të Kuvendit Komunal, duke kërkuar angazhim konkret, pa dallime partiake.
“ Mbrojtja e të drejtave dhe sigurimi i shërbimeve për qytetarët e Ferizajt është përgjegjësi e Komunës”, thuhet në reagim.
Down Syndrome Kosova ka bërë thirrje edhe për mbështetjen e komunitetit të biznesit dhe të qytetarëve vullnetmirë, me qëllim të tejkalimit të situatës dhe garantimit të vazhdimësisë së shërbimeve.
Organizata thekson se pas kësaj qendre qëndrojnë fëmijë, të rinj, të rritur dhe familje që kanë nevojë për mbështetje të vazhdueshme.
“Shërbimet për ta nuk mund dhe nuk duhet të ndërpriten për shkak të mungesës së hapësirave adekuate dhe kushteve elementare për punë!”, përfundon reagimi./lajmi.net/