Sindikata e re e KEK-ut para protestës së nesërme: Paga e 13-të dhe rritja e pagave nuk janë luks, por kërkesa të drejta për vlerësimin e punës
Sindikata e Re e Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK) ka kërkuar rritjen e pagave dhe ndarjen e pagës së 13-të për punëtorët e kësaj ndërmarrjeje, duke vlerësuar se ata meritojnë kompensim më të madh për punën dhe kushtet e vështira në të cilat angazhohen çdo ditë. Përmes një postimi në rrjetet sociale, sindikata ka publikuar…
Lajme
Sindikata e Re e Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK) ka kërkuar rritjen e pagave dhe ndarjen e pagës së 13-të për punëtorët e kësaj ndërmarrjeje, duke vlerësuar se ata meritojnë kompensim më të madh për punën dhe kushtet e vështira në të cilat angazhohen çdo ditë.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, sindikata ka publikuar fotografi nga vendet e punës së punëtorëve të KEK-ut, duke vënë në pah rreziqet, vështirësitë dhe sakrificën e tyre në procesin e prodhimit të energjisë elektrike, transmeton lajmi.net.
Sipas sindikatës, punëtorët përballen me pluhur, lodhje dhe rrezik të vazhdueshëm, ndërsa puna e tyre është thelbësore për funksionimin e prodhimit të energjisë në vend.
“Kush e meriton pagën e 13-të më shumë se këta punëtorë? Kush e meriton rritjen e pagave më shumë se ata që çdo ditë rrezikojnë shëndetin dhe jetën në vendin e punës?”, thuhet në reagimin e sindikatës.
Ajo ka theksuar se kërkesat e punëtorëve nuk duhet të trajtohen si kërkesa për privilegje, por si nevojë për vlerësimin e drejtë të angazhimit dhe përgjegjësisë së tyre.
Në reagim, sindikata i ka bërë thirrje menaxhmentit dhe Bordit të KEK-ut që të marrin parasysh kontributin e punëtorëve, duke theksuar se pas çdo megavati të prodhuar qëndron puna e tyre.
“Këta punëtorë nuk kërkojnë lëmoshë. Ata kërkojnë që puna, mundi, përgjegjësia dhe sakrifica e tyre të vlerësohen drejt”, thuhet në postim.
Në kuadër të kërkesave për përmirësimin e kushteve dhe rritjen e pagave, Sindikata e Re e KEK-ut ka paralajmëruar protestë për datën 12 nëntor, në orën 11:00, para zyrave të Korporatës Energjetike të Kosovës në Prishtinë.
Përmes kësaj proteste, sindikata synon të ngrisë zërin për pagën e 13-të, rritjen e pagave dhe trajtimin dinjitoz të punëtorëve.
“Paga e 13-të dhe rritja e pagave nuk janë luks, por kërkesa të drejta për vlerësimin e punës së tyre!”, thuhet në thirrjen e sindikatës.
Postimin, sindikata e ka përmbyllur me mesazhin: “Pa punëtorë nuk ka prodhim, pa prodhim nuk ka energji”, duke kërkuar respekt dhe vlerësim më të madh për punëtorët e KEK-ut./lajmi.net/