Dyshohet se keqpërdorën mbi 62 mijë euro nga grantet ndërkombëtare, arrestohen drejtori dhe menaxheri i një kompanie

Dy persona janë arrestuar sot nga Policia e Kosovës, nën dyshimin se kanë keqpërdorur mbi 62 mijë euro nga dy grante të financuara nga komuniteti ndërkombëtar. Të arrestuarit, me inicialet H.L. dhe T.M., janë shtetas të Kosovës dhe dyshohet se kanë vepruar në cilësinë e drejtorit dhe menaxherit të një kompanie, raporton lajmi.net. Sipas njoftimit…

Lajme

11/11/2026 15:25

Dy persona janë arrestuar sot nga Policia e Kosovës, nën dyshimin se kanë keqpërdorur mbi 62 mijë euro nga dy grante të financuara nga komuniteti ndërkombëtar.

Të arrestuarit, me inicialet H.L. dhe T.M., janë shtetas të Kosovës dhe dyshohet se kanë vepruar në cilësinë e drejtorit dhe menaxherit të një kompanie, raporton lajmi.net.

Sipas njoftimit të autoriteteve, arrestimi i tyre është bërë në vazhdën e hetimeve të një rasti të iniciuar më 4 tetor 2026, që lidhet me veprën penale “Mashtrimi lidhur me pranimin e fondeve nga komuniteti ndërkombëtar”.

Dy të dyshuarit dyshohet se kanë përfituar dy grante në vlerë të përgjithshme prej 575 mijë e 736 eurosh, nga të cilat dyshohet se janë keqpërdorur gjithsej 62 mijë e 902 euro.

Granti i parë ishte në vlerë prej 293 mijë e 500 eurosh. Sipas hetimeve, nga kjo shumë dyshohet se janë keqpërdorur 23 mijë euro, përmes raportimit të rremë se shpenzimet e planifikuara për blerjen e makinerive ishin realizuar plotësisht.

Ndërkaq, granti i dytë kishte vlerën prej 282 mijë e 236 eurosh, prej të cilave dyshohet se janë keqpërdorur 39 mijë e 902 euro, duke përdorur të njëjtën mënyrë raportimi për shpenzimet e makinerive.

Gjatë procesit hetimor është konstatuar se shuma e përgjithshme e mjeteve të dyshuara si të keqpërdorura nga të dy grantet arrin në 62 mijë e 902 euro.

Të dyshuarit janë intervistuar në prani të avokatëve të tyre mbrojtës.

Pas intervistimit, me urdhër të prokurorit të rastit, ndaj tyre është caktuar masa e ndalimit prej 48 orësh./Lajmi.net/