Drejtorët e Bujqësisë kërkojnë nga Qeveria kompensimin e dëmeve për fermerët dhe hapjen e granteve

Kolegjiumi i Drejtorëve të Bujqësisë, në kuadër të Asociacionit të Komunave të Kosovës, është mbledhur sot në Istog, me ftesë të drejtorit të Bujqësisë në këtë komunë, Artan Gegaj. Në këtë takim është diskutuar për problemet me të cilat po përballen fermerët, me theks të veçantë te mungesa e kompensimit për dëmet e shkaktuara nga…

Lajme

11/11/2026 14:48

Kolegjiumi i Drejtorëve të Bujqësisë, në kuadër të Asociacionit të Komunave të Kosovës, është mbledhur sot në Istog, me ftesë të drejtorit të Bujqësisë në këtë komunë, Artan Gegaj.

Në këtë takim është diskutuar për problemet me të cilat po përballen fermerët, me theks të veçantë te mungesa e kompensimit për dëmet e shkaktuara nga fatkeqësitë natyrore dhe kafshët e egra.

Një tjetër shqetësim i ngritur ishte edhe mungesa e thirrjeve për grante dhe projekte të zhvillimit rural tash e tri vite.

Përmes një njoftimi, Gegaj ka bërë të ditur se nga ky takim i është bërë thirrje Ministrisë së Bujqësisë dhe Qeverisë së Kosovës që të ndërmarrin masa konkrete për mbështetjen e fermerëve.

Ndër kërkesat kryesore janë kompensimi i dëmeve, hapja e thirrjeve për grante dhe rifillimi i projekteve të zhvillimit rural.

“Fermerët meritojnë vëmendjen dhe mbështetjen e institucioneve. Ne do të jemi gjithmonë në krah të fermerëve tanë dhe do t’i ndihmojmë e mbështesim me të gjitha mundësitë që kemi”, ka shkruar Gegaj.

Ai ka theksuar se drejtorët e bujqësisë do të vazhdojnë të angazhohen që kërkesat dhe problemet e fermerëve të marrin zgjidhje nga institucionet përgjegjëse. /Lajmi.net/