Gashi: Përparimi i Kosovës drejt BE-së është i pamohueshëm, liberalizimi i vizave ndër sukseset kryesore

Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), Liza Gashi, ka vlerësuar se Kosova ka shënuar suksese dhe përparim në rrugëtimin drejt Bashkimit Evropian, pavarësisht kritikave dhe vërejtjeve të përfshira në raportin e sivjetmë të Komisionit Evropian. Duke folur në emër të grupit parlamentar të LVV-së në debatin për Raportin e Progresit, Gashi ka thënë se ky diskutim…

Lajme

11/11/2026 14:41

Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), Liza Gashi, ka vlerësuar se Kosova ka shënuar suksese dhe përparim në rrugëtimin drejt Bashkimit Evropian, pavarësisht kritikave dhe vërejtjeve të përfshira në raportin e sivjetmë të Komisionit Evropian.

Duke folur në emër të grupit parlamentar të LVV-së në debatin për Raportin e Progresit, Gashi ka thënë se ky diskutim është mundësi për të prezantuar arritjet e vendit në procesin e integrimit evropian.

“Për ne si grup parlamentar i Lëvizjes Vetëvendosje, së bashku me aleatët tanë, ky debat parlamentar po ashtu është një mundësi e mirë për të prezantuar sukseset dhe përparimin e pamohueshëm të Republikës së Kosovës në rrugëtimin e Bashkimit Evropian”, ka deklaruar ajo.

Gashi ka theksuar se integrimi evropian mbetet orientim strategjik i Kosovës, ndërsa si një prej arritjeve kryesore ka përmendur liberalizimin e vizave.

“Gjatë kësaj dekade, kemi përafruar legjislacionin me standardet evropiane, kemi zgjeruar marrëdhëniet tregtare, por mbi të gjitha, kemi liberalizuar vizat për vendin tonë”, ka thënë Gashi.

Ajo ka shtuar se qytetarët e Kosovës tashmë mund të udhëtojnë pa viza në zonën Schengen.

Ndërkaq, duke folur për sfidat në procesin e integrimit, deputetja e LVV-së ka kritikuar mosshqyrtimin e aplikimit të Kosovës për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

“Mosshqyrtimi i aplikimit të Kosovës nuk është vetëm vonesë për Kosovën, por në fakt është edhe një sfidë për besueshmërinë e zgjerimit të Bashkimit Evropian”, ka deklaruar ajo.

Në fund, Gashi ka përmendur edhe bllokadën institucionale si një prej faktorëve që, sipas saj, kanë ndikuar në ngecjet e vendit. /Lajmi.net/