Nasim Haradinaj: Kush thotë se kam marrë mesazh nga Thaçi, po rren – ua çon edhe një porosi krerëve të UÇK-së
Ish-nënkryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së (OVL-UÇK), Nasim Haradinaj, ka komentuar zhvillimet brenda Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), si dhe çështjen e komunikimeve të mundshme me ish-krerët e UÇK-së që po gjykohen në Hagë. Në një intervistë në emisionin “Kosova Today” në Klan Kosova, Haradinaj ka thënë se nuk beson që ish-krerët…
Lajme
Ish-nënkryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së (OVL-UÇK), Nasim Haradinaj, ka komentuar zhvillimet brenda Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), si dhe çështjen e komunikimeve të mundshme me ish-krerët e UÇK-së që po gjykohen në Hagë.
Në një intervistë në emisionin “Kosova Today” në Klan Kosova, Haradinaj ka thënë se nuk beson që ish-krerët e UÇK-së dërgojnë mesazhe apo porosi përmes personave të tjerë.
Ai ka komentuar edhe pretendimet se dikush ka marrë mesazh nga ish-presidenti Hashim Thaçi, duke i cilësuar ato si të pavërteta.
“Jam i sigurt që ata nuk merren ‘tha ky e tha ky’, nuk çojnë porosi jashtë. […] Nëse dikush thotë ‘selam më çoi Thaçi’, jo mundet me qenë rrenë, po bash rrenë është”, ka deklaruar Haradinaj.
Gjatë intervistës, ai ka përmendur edhe një pretendim për një ultimatum të mundshëm nga ish-krerët e UÇK-së, sipas të cilit ata nuk do të pranonin takime me përfaqësues të partive politike pa u arritur paraprakisht një marrëveshje mes tyre.
Megjithatë, Haradinaj ka theksuar se këtë informacion e ka dëgjuar si thashethem.
Në fund, ai u ka përcjellë edhe një porosi ish-krerëve të UÇK-së, duke u kërkuar që të mos pranojnë përfaqësues të partive politike derisa këto të fundit të arrijnë një marrëveshje mes vete.
“Edhe nëse ata po më dëgjojnë, çoni fjalë t’partisë, mos i pranoni atje, derisa të pajtohen mes veti. Asnjë!”, ka thënë Haradinaj. /Lajmi.net/